Komisionerja Evropiane për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, ka bërë thirrje për rrugë më të sigurta për emigrantët, pas ngjarjeve të fundit, ku qindra refugjatë kanë humbur jetën në mes të detit.

Në një intervistë, Johansson tha se KE po diskuton për një pakt të ri për të menaxhuar më mirë aplikimet e migrantëve dhe refugjatëve në BE dhe nëse ai do të riparojë marrëdhëniet e tensionuara midis disa shteteve anëtare.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Është një situatë e tmerrshme në Mesdhe. 700 njerëz kanë vdekur tashmë këtë vit. Drejtori i Agjencisë së Migracionit të Kombeve të Bashkuara, António Vitorino, po këmbëngul se iniciativat shtetërore mungojnë kur bëhet fjalë për përpjekjet e shpëtimit në det. A do të ketë një mision të ri të përbashkët të BE-së?

Ylva Johansson: Më duhet të them se ajo që shohim tani nga roja bregdetare italiane është vërtet mbresëlënëse. Ata kanë shpëtuar, mendoj, tashmë më shumë se 30,000 njerëz këtë vit. Dhe ne kemi edhe OJQ-të, por në një masë shumë më të vogël, sigurisht. Iniciativat shtetërore janë ato të mëdha kur bëhet fjalë për kërkim-shpëtim. Por ne duhet t’i parandalojmë këto nisje të rrezikshme në radhë të parë sepse ekziston gjithmonë rreziku që dikush të zhduket ose të humbasë jetën nëse niset në këto udhëtime të rrezikshme. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme me parandalimin  luftimi i kontrabandistëve, por edhe ofrimi i rrugëve ligjore, shtigjeve të sigurta për në Bashkimin Evropian.

Pyetje: Shohim që në fund të fundit, Italia është pika kryesore e mbërritjes, ajo është në ballë. Qeveria sapo shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për gjashtë muaj. Dhe ne pamë gjithashtu Ministrin e Brendshëm të Francës duke kritikuar qeverinë italiane, duke thënë se nuk është në gjendje të menaxhojë migracionin. Çfarë do të thoshit për këtë?

Ylva Johansson: Mendoj se Italia është nën presion të madh dhe mendoj se ata po e menaxhojnë mjaft mirë. Gjendja e jashtëzakonshme në Itali është sigurisht një vendim kombëtar. Por, siç e kuptoj, kjo e ndihmon Italinë të përballojë një pritje më të shpejtë, duke përmirësuar më shpejt kapacitetet e pritjes. Dhe kjo është absolutisht e nevojshme për shkak të numrit të madh të mbërritjeve. Por është e rëndësishme të thuhet se Italia nuk duhet të jetë vetëm. Këtu duhet të mbështesim Italinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb