Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Shqiptarët që kanë punuar në Itali dhe janë kthyer në Shqipëri, edhe pse nuk ka marrëveshje për njohjen reciproke të kontributeve, mund të përfitojnë pension pleqërie në vendin fqinj. Janë dy mënyra për t’u bërë pjesë skemës së pensioneve në Itali sipas së cilëve, pensioni llogaritet me sistemin kontributiv dhe rasti kur përfitimi llogaritet me sistemin retributiv, me pagat. Në rastin e parë, punonjësit ekstrakomunitarë, të punësuar në Itali pas 1 janarit 1996, mund të përfshihen për pension pleqërie në rast riatdhesimi, të llogaritura me sistemin kontributiv, me plotësimin e 66 viteve e 3 muaj, është bërë shtesa me koeficientin e jetëgjatësisë, edhe nëse nuk kanë plotësuar kërkesat e parashikuara, pra edhe nëse nuk kanë plotësuar 20 vite kontribute. Në rastin e dytë, punonjësit ekstrakomunitarë, punësuar para periudhës 01.01. 1996, mund të përfshihen në rast riatdhesimi, me pension pleqërie, të llogaritur me sistemin retributiv, ose të përbërë vetëm kur plotësojnë 66 vjeç e 3 muaj,( është bërë shtesa me koeficientin e jetëgjatësisë) si për burrat, ashtu edhe për gratë, vetëm kur plotësojnë jo më pak se 20 vite kontribute.
Legjislacioni

Legjislacioni për sigurimet shoqërore në Itali ka ndryshuar dhe rregullat e reja lidhen me zgjatjen e moshës së përfitimit të pensionit, duke e korrektuar me koeficientin e jetëgjatësisë si dhe mënyrën e llogaritjes së pensionit, të cilat prekin sigurisht dhe emigrantët shqiptarë në Itali.
Kategoritë
Sipas legjislacionit italian për punonjëset femra të punësuara në sektorin privat, nga 60 vjeç që plotësonin moshën për pension, deri më 31.12.2011, filloi një rritje graduale e moshës, në 62 vjeç në vitin 2012. Deri më 31.12.2015 kjo moshë është rritur në 63 vite e 9 muaj, për të shkuar 66 vite e 3 muaj nga 2018 në 2020. Po kështu, mosha e daljes në pension të burrave, nga 65 vjeç që ishte deri më 31.12.2011, u bë 66 vjeç më 1.1.2012, u rrit me 66 vite e 3 muaj nga 1 janar 2013, ku në vitin 2020, do barazohet mosha e daljes në pension të burrave dhe grave me 66 vite e 3 muaj. Këto ndryshime kanë prekur edhe shqiptarët që kanë jetuar dhe kanë kontribuar në skemën e sigurimeve atje. Nisur sa më lart, për përfitimin e pensionit aktualisht janë dy mënyra llogaritjesh. Punonjësit të siguruar deri në datën 31.12.1995, të cilët kanë të drejtë të daljes në pension në qoftë se mund të plotësojnë të paktën 20 vjet kontribute (1040 kontributet javore) dhe punonjësit e siguruar pas datës 31.12.1995, të cilët kanë të drejtën e daljes në pension në qoftë se ata mund të kenë jo më pak se 5 vjet e kontribute (260 javë), të cilët e përfitojnë pensionin në moshën 70 vjeç. Po kështu për pensionin e invaliditetit, që përfitojnë punonjësit që rezultojnë me paaftësi të përhershme për të kryer ndonjë punë për shkak të një sëmundjeje apo defekt fizik ose mendor me humbje e mbi 74 % të aftësisë për punë, të cilët duhet të kenë jo më pak se 260 javë (pesë vjet kontribute) nga të cilat 156 javë (tri vite kontribute) në pesë vitet që i paraprinë datës së paraqitjes së aplikimit.
Përsa u përket punonjësve ekstrakomunitarë të riatdhesuar, ata kanë disa favore dhe lehtësira, krahasuar me përfitimet e punonjësve rezidentë në Itali, duke reduktuar moshën për përfitime.
Përfituesit
Në rast riatdhesimi përfundimtar, punonjësi ekstrakomunitar me kontratë të ndryshme nga ajo sezonale, gëzon të drejtën për përfitimin nga sigurimet shoqërore, të maturuar në Itali dhe përfiton të tilla të drejta edhe kur nuk ekziston një marrëveshje reciproke me vendin e origjinës.
Pensionet familjare
Ligji ka parashikuar edhe rastin e trajtimit me pension familjar. Kështu, në rast vdekjeje pasi të kenë plotësuar 66 vjeç, lind e drejta për pension familjar, nëse kanë kushtet e përcaktuara me gjeneralitetet e punëtorit. Kjo nuk zbatohet në rastin kur vdekja ndodh para moshës 66-vjeçare.
Dokumentet
Personat që kanë punuar në Itali dhe janë kryer në vendin tonë duhet të plotësojnë së sërë dokumentesh për t’u bërë pjesë e skemës së pensioneve. Për dhënien e këtyre përfitimeve, i riatdhesuari duhet të paraqesë disa dokumente si, kopje të një dokumenti identiteti, të legalizuar nga autoritetet konsullore italiane të vendit, moduli i delegimit të patronatit, certifikatë për rezidencën. Kjo duhet të ketë datën e saktë të hyrjes përfundimtare në atdhe, lëshuar nga organet kompetente, përkthyer dhe e legalizuar nga autoritetet konsullore italiane dhe vërtetim për ndërprerjen e punës, përkthyer dhe legalizuar nga autoritetet konsullore italiane.

Shqiptarët që përfitojnë pension në Itali
Kushti kryesor nga ana e punonjësve ekstrakomunitarë për të kërkuar përfitime nga fondi për riatdhesim, në vendin ku kanë shtetësinë janë:
• rezidenca në Itali
• leje qëndrimi e rregullt, edhe e skaduar, por skadenca nuk duhet të kalojë më shumë se 6 muaj.
• Një raport punësimi të vlefshëm, për të cilin të ketë derdhur kontributet e detyrueshme.
• Mungesa e muajve ekonomikë, për të përballuar shpenzimet të domosdoshme, e cila duhet të jetë e certifikuar nëpërmjet një deklarate, me përgjegjësi, të lëshuar nga punonjësi në momentin e kërkesës për ndërhyrjen e fondit.
• Për mungesën e muajve ekonomikë duhet të kuptohet posedimi nga ana e punonjësit ekstrakomunitar të një të ardhure, ku shuma e së cilës në vijim të vitit nuk do të jetë më e madhe se ajo e domosdoshme për përfitimin e pagesës sociale (theksojmë se pagesa sociale aktualisht për vitin 2015 është 5.830,76 euro në vit për 13 muaj, ose 448,52 euro në muaj).
• Punëtorët ekstrakomunitarë, pasi ligji nuk i pengon, mund të përfitojnë më shumë se një herë e në përfitime nga fondi për riatdhesim, me kusht që raporti i ri i punësimit, është i rregullt, nuk është sezonal dhe të kenë kaluar të paktën dy vite që prej riatdhesimit të mëparshëm.

Përjashtohen nga skema
Nuk përfitojnë nga fondi për riatdhesim:
1. Punëtorët kufitare.
2. Punëtorët e huaj të ftuar për motive studimi ose trajnimi.
3. Të huajt e punësuar nga organizatat apo kompanitë që operojnë në territorin e Republikës Italiane, të cilët janë pranuar përkohësisht, me kërkesë të punëdhënësit, për të përmbushur funksionet dhe detyra të veçanta, për një periudhë të caktuar, të cilët janë të detyruar të largohen nga vendi kur këto funksione ose detyra janë plotësuar.
4. Të huajt e punësuar në institucione të së drejtës ndërkombëtare.
5. Artistët dhe punëtorët e shfaqjeve, përveç atëherë të përcaktuar në paragrafin 2 të ligjit të lartpërmendur.
6. Detarët.
7. Gjithë qytetarët e shteteve anëtare të BE-së.
8. Punonjësi jokomunitarë, për të cilët ka rregulla të veçanta më të favorshme edhe në implementim të marrëveshjeve ndërkombëtare.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: