Finalizohet operacioni policor “Emigranti”, ndërsa në pranga ka rënë një 49-vjeçar, banues në Pogradec. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se shtetasi me inicialet N. J., banues në Pogradec, i cili falsifikonte pasaporta, leje drejtimi, kartela punësimi, leje kalimi për në shtetet e huaja, vihet në pranga 1 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec zhvilluan operacionin pas disa muajsh hetimi.

Në bazë të informacioneve të grumbulluara dhe veprimeve të kryera gjatë periudhës hetimore disa mujore, se një shtetas në banesën e tij në qytetin e Pogradecit, ushtronte veprimtarinë kriminale të falsifikimit të dokumentacioneve të ndryshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec ushtruan kontroll në banesën e tij, ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

8 telefona celularë; 1 vulë universale e cila dyshohet se përdorej për falsifikim; 7 pasaporta të dyshuara si të falsifikuara me identitete të ndryshme, 1 dokument identifikimi grek, 8 certifikata familjare të shtetasve të ndryshëm, disa leje kalimi për në shtetin grek dhe italian me identitete të ndryshme personash; 105 leje kalimi të tjera të paplotësuara por të vulosura, 3 leje drejtimi shqiptare të dyshuara si të falsifikuara; kartela punësimi të vulosura dhe të nënshkruara.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i akteve të gjendjes civile”, “Prodhimi i mjeteve për falsifikim të dokumenteve”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb