Të tjera detaje dalin në dritë nga vrasja që tronditi mbrëmë Malësinë e Madhe, ku një 58-vjeçari që jetonte prej vitesh në Angli iu bë atentat.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Reç rreth orës 22:50. Gazetari Senad Nikshiqi raporton për ‘BalkanWeb’ se Sokol Çelaj ishte duke udhëtuar së bashku me gruan e tij drejt banesës së tyre në Reç, ndërkohë që person i paidentifikuar i zuri pritë dhe e qëlloi. Në lidhje me ngjarjen, gazetari ka siguruar dëshminë e gruas, e cila pohoi se nuk kishte parë dot autorin, duke shtuar se kishte dëgjuar vetëm krisma dhe më pas kishte parë gjakun. Sipas saj autori kishte qëlluar direkt.

Ngjarja në fjalë ndodhi shumë pranë banesës së çiftit. Mësohet se viktima prej gati 20 vitesh jetonte në Angli, ndërkohë që në atdhe ishte kthyer më 18 gusht për pushime. Mësohet se autori e ka qëlluar Çelajn me pistoletë dy herë, ku një plumb e ka kapur afër zemrës dhe një tjetër në pjesën e sipërme të brinjëve. Sipas policisë, viktima humbi jetën pak pasi u transportua në spital. Aktualisht po hetohet rreth identifikimit dhe kapjes së autorit/ve të ngjarjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb