Një emigrant somalez goditi për vdekje me thikë një 37-vjeçar, baba të tre fëmijëve, brenda një banke në Derby të Anglisë . Kërkesa për azil e 47-vjeçarit ishte refuzuar nga autoritetet britanike, me paralajmërimin e tij se do të vriste 500 persona.
Haibe Abdirahman Noor rrëfeu krimin e tmerrshëm dhe Daily Mail publikoi një video të tij të qetë para dhe pas vrasjes. Gurvinder Singh Johal, baba i tre fëmijëve të moshës 5, 3 dhe 1 vjeç, zotëronte biznese.
Burri somalez u nxor në gjyq, me gjyqtarin që e përshkroi vrasjen si “barbare dhe mizore” dhe u dënua me burgim të përjetshëm me një minimum prej 25 vjetësh. Johal “nuk bëri asgjë më shumë sesa të tërhiqte para nga banka për të paguar stafin e tij”, sipas gjyqtarit.
Gjatë gjyqit, u zbulua se Noor ishte i njohur në Holandë, Luksemburg, Itali dhe Gjermani për vepra të ndryshme penale, dhe në dhjetor 2024 ai ishte arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar për shkelje të rendit publik. Në incidentin që ndodhi pothuajse një vit më parë, ai u dëgjua duke bërtitur “të q… anglezët” dhe “racistët e bardhë të q…”.
Thuhet gjithashtu se ai ka goditur me kokë një punëtor ndërtimi, por nuk u ngritën akuza kundër tij. Në maj 2023, Noor u dënua gjithashtu me një vit burgim me kusht për grabitje, sulm që shkaktoi dëmtime trupore dhe rezistencë ndaj një nëpunësi publik.

“Ai do të vriste 500 njerëz”
Dhe vetëm disa orë para se të vriste Johalin, ai kishte telefonuar një organizatë bamirëse të quajtur Migrant Help pasi kishte pirë vodka dhe birrë, ku u dëgjua duke u ankuar për mënyrën se si autoritetet e kishin trajtuar. Gjatë asaj telefonate, gjykata dëgjoi vrasësin duke i thënë organizatës bamirëse “se do të shkonte të vriste 500 njerëz dhe pastaj do të vriste veten”.
“I pandehuri tha se e bëri këtë sepse nuk kishte asnjë nga të drejtat e tij në Mbretërinë e Bashkuar – nuk kishte të drejtë të qëndronte, nuk i lejohej të punonte pavarësisht aftësive të tij, u detyrua të humbiste aftësitë dhe shkathtësitë e tij sepse mbahej në një burg të hapur”, i tha prokurori gjykatës.
