Vjolanda Peca | Emisioni investigativ Vetting, News24

Goditja ndaj News24, censura nga pushteti
Perandori francez i shekullit 19 Napoleon Bonaparte, ka thënë: “Ua kam frikën më shumë 4 gazetave opozitare se sa mijëra bajonetave”. Kjo shprehje erdhi fill pasi perandori mbylli 66 gazeta në Francë duke nënkuptuar se shtypi ka fuqi shumë të madhe në opinionin publik dhe cënon pushtetin e më të fuqishmëve.

Sot në shekullin e 21, tre shekuj më vonë në Shqipëri duket se demokracia po dobësohet teksa edhe ato pak gazeta që kanë ngelur, po mbyllen. Sulmi i paparalajmëruar ndaj gazetave “Panorama” dhe “Panorama Sport” dëshmoi qartë fuqinë që ka pushteti i katërt, media. Olsi Avdiaj, Kryeredaktori i “Panorama Sport” gjatë një interviste për “Vetting” shprehet tejet i zhgënjyer për situatën që u ndodhi gazetarëve të “News24”. Kryeredaktori Avdiaj paralelizoi regjimin dikatorial fashist të Musolinit, me regjimin e sotëm në shqipëri ku shtypi është kthyer në vegël propagande dhe çdo formë e sotme e censurës ndaj mediave të lira është një rikthim i asaj logjike autoritare.

“Vetëm fashistët, iniciatorët e atyre që thyenin redaksitë e gazetave mund t’a bënin një gjë të tillë. Vetëm Musolini dhe ndonjë tjetër.”- u shpreh kryeredaktori Avdiaj.

Më 9 gusht 2025, në zonën e ish-Uzinës së Traktorit në Shkozë në kryeqytet, Policia e Shtetit dhe kompania publike “KAYO” sha ndërhynë në mënyrë të paligjshme, pa paralajmërim, pa vendim gjykate në godinën e medias shqiptare informative më të madhe në vend “News24”. Kjo bastisje nga forcat policore ngjalli një sërë emocionesh jo të mira fillimisht për punonjësit e Focus Media Group.

“Ditën e parë që u ngjitëm në Shkozë në ish-uzina e autotraktorëve ishte një ndjesi negative, e hidhur, jo e mirë. Ishte njësoj sikur jam ngjitur herën e parë në atë godinë në vitin e largët 2003 kur televizioni News24 u zhvendos nga qendra e Tiranës në periferinë e Shkozës”, u shpreh analisti Erl Murati.

Aksioni i policisë, i pasuar nga ndërhyrja e paligjshme e kompanisë shtetërore “KAYO” sha nën pronësinë e Ministrisë së Mbrojtjes brenda zyrave të gazetarëve ishte në sinkron me doktor spinët e qeverisë, të cilët filluan të analizojnë konfliktin midis kompanisë që zotëronte median dhe qeverisë, duke anashkaluar të drejtat e gazetarëve. Ky rast me të cilin dhe gazetarët më të vjetër në profesion nuk janë hasur shpesh, ç’ka e bën ngjarjen më traumatike profesionalisht, ku sheh sesi shteti und të përvetëojë sende e tua të punës dhe personale.

“Ishte vërtetë një moment shumë i vështirë, i paprecedentë, tronditës për të gjithë gazetarët edhe për mua personalisht si një nga gazetaret më të vjetra të News24. U përjetua prej nesh si një dhunë institucionale që nuk duhej kurrësesi të ndodhte.”- u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e News4, Anila Jole.

Njëjtë është shprehur dhe drejtori i “Panorama Online”, Fation Binjaku duke e cilësuar rastin si të paprecedentë dhe antiligjor. “Atë mëngjes e mbaj mend shumë mirë një pjesë e madhe e stafit po përgatiteshin për të marrë pushimet e verës dhe vetëm kur fillojnë telefonatat. Na njoftojnë që nuk i lejonin të hynin një pjesë, pjesën tjetër i kishin nxjerrë me forcë nga godina.” – tha Binjaku.

Në pushtimin e godinës nga Policia janë evidentuar një sërë shkeljesh të ligjeve kombëtare dhe konventave ndërkombëtare ku Shqipëria bën pjesë, të cilat janë prova të pakundërshtueshme të dhunës dhe presionit shtetëror ndaj gazetarisë kritike.

“Na ndodhi krejt papritur, pa asnjë paralajmërim, në mënyrën më mizore të mundshme edhe e gjithë përpjekja ishte të paralizohej funksionimi dhe aktiviteti mediatik i mediave që ndodheshin në ato godina prej 22-23 vitesh si News24, BalkanWeb, Gazeta Panorama, Panorama Online, Gazeta Shqiptare, Radio RASH”, – u shpreh Drejtori i BalkanWeb, Leonard Quku.

Sulmi erdhi për shkak të denoncimeve dhe dosjeve që kanë trembur eksponentët e lidhur me zyrtarët më të lartë në qeverinë shqiptare. Redaksitë investigative në bashkëpunim me gazetarët e politikës, terrenit, median online dhe gazetat kanë demaskuar me fakte dhe prova se këta persona kanë abuzuar me fondet publike, kanë përfituar para nga buxheti i shtetit në shkelje të detyrës dhe kanë përdorur postin për përfitime personale dhe familjare.

Bllokimi i sinjalit nga qeveria shqiptare
Ndërhyrja e paligjshme te godina e “News4” bllokoi jo vetëm televizionin, por gazetat më të mëdha në vend “Panorama”, “Panorama Sport” dhe mediat më të ndjekura online BalkanWeb dhe Panorama online.

Sipas “KAYO” sha, arsyeja zyrtare ishte se televizioni nuk kishte paguar qiranë. Por mënyra se si ndodhi kjo ndërhyrje, nuk ishte një procedurë e rregullt ligjore.

Pas largimit të gazetarëve, dy ditë më pas pasditen e 11 gushtit 2025, në muzg kompania shtetërore “KAYO” sha hyri në ambientet e gazetarëve dhe filloi të prekë pajisjet e redaksive të “News24”, kompjutera, dosje, tavolina, karrige dhe sendet personale. Pa njoftuar askënd, një pjesë e këtyre sendeve u dërguan në rezervat e shtetit. Ky veprim u krye natën në mënyrë të fshehtë, pa transparencë dhe pa respektuar të drejtat e gazetarëve nga kamionat e ushtrisë.

“Nuk mundet që një polici shteti apo një institucion tjetër, të vejë dhe të dhunojë një ambient qoftë edhe në posetim të një medie, duhet të drejtohen edhe ata institucioneve dhe organeve ligjzbatuese siç është Gjykata.”- tha për emisionin investigative “Vetting” avokati Arben Llangozi.

Praktikisht dhe ligjërisht u shkelën disa nga të drejtat më themelore, të mbrojtura jo vetëm nga ligjet shqiptare, por edhe nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë sanksionohet qartë se liria e shtypit është e garantuar. Por kur gazetarët nxirren me forcë nga vendi i punës, kjo liri shkelet hapur.

Po ashtu, Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut e shprehin qartë se askush nuk mund të privohet nga prona e tij në mënyrë të paligjshme. Sekuestrimi i përkohshëm i kompjuterave dhe pajisjeve personale, pa një vendim të qartë gjyqësor dhe pa paralajmërim, është shkelje e të drejtës së pronës.

“Nuk është çështje godine, unë flas si gazetar, në tagrin e gazetarit, të punës time të përditshme për fjalën e lirë, për të qenë krahu dhe zëri i qytetarëve i halleve dhe problemeve të tyre për t’i transmetuar në media. Në rastin konkret mendoj që organet ligjzbatuese duhet të çojnë para përgjegjësisë ligjore personat përgjegjës duke nisur nga Ardi Veliu.”- tha gazetari Igli Çelmeta.

“Ai rrethim që i’u bë godinave të televizionit pa një vendim gjykate, pa një urdhër, pa një ekip përmbaruesish që ne të kishim me kë të flisnim, në shkelje të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare për lirinë e shprehjes – meriton një hetim të thelluar nga Prokuroria e Posaçme, SPAK”, tha drejtori i BalkanWeb, Leonard Quku.

Avokati Arben Llangozi thotë për “Vetting” se rasti është i paprecedent dhe i rrallë. “Një shtet kur nuk zbaton vendimin e Gjykatës nuk mund të themi që kemi të bëjmë më me një shtet sepse edhe në kohën e diktaturës çdolloj vendimi gjyqsor elzekutohesh, sdi me kë ta krahasoj sepse janë raste shumë të rralla.”- u shpreh avokati Llangozi.

Një tjetër parim i rëndësishëm është e drejta për një proces të rregullt ligjor. Çdo veprim duhet të bëhet me vendim gjykate dhe të zbatohet vetëm nga përmbaruesit gjyqësorë. Në këtë rast, Policia e Shtetit dhe kompania shtetërore vepruan jashtë këtyre rregullave. Ky fakt e kthen të gjithë aksionin në një ndërhyrje arbitrare. Edhe ligji shqiptar për median audiovizive e thotë shprehimisht se autoritetet publike duhet të garantojnë kushte të lira pune për median, jo të hyjnë me forcë dhe ta bllokojnë atë.

“Të gjithë janë në një persion të madh ku pushteti ekzekutiv ka prevaluar mbi të gjitha pushtetet e tjera dhe arrin të marrë guximin të bëjë presion dhe te pushtetet e tjera, ku me kushtetutë secili duhej të ishte i pavarur. Në këto kishte kemi pushtetin më të fortë që dominon”, u shpreh gazetari Klevin Muka.

Por shkeljet nuk mbarojnë këtu. Dokumentet ndërkombëtare, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut apo Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, mbrojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të informuar publikun. Duke i përzënë gazetarët nga vendi i punës dhe duke u marrë pajisjet, këto të drejta u shkelën në mënyrë flagrante.

“Është cënuar shumë liria e medias pas këtij veprimi sepse kushdo që do të dojë të kritikojë qeverinë apo të bëjë artikuj, emisione kritike siç keni qenë dhe ju të Vetting që keni pasur me dhjetra investigime kritike me qeverinë, do të mendohet dy herë para se ta bëjë sepse ja çfarë ndodh kur ti kritikon qeverinë dhe bën gazetari të ndershme, me fakte dhe duke denoncuar afera korruptive apo lidhjet e krimit të organizuar me qeverinë.” – u shpreh gazetari Renaldo Salianji.

Kjo histori nuk është thjesht një konflikt për një qira të papaguar. Është një shkelje e rëndë e të drejtave themelore të gazetarëve. U cenua liria e shtypit, e drejta e pronës dhe e drejta për një proces të rregullt ligjor.

“News24” është nën pronësinë e një kompanie private, por mijëra probleme të qytetarëve kanë marrë zë nga mbulimi gazetarëve të kronikës apo emisioneve televizive.

Gjykata mbështet gazetarët dhe godet Ardi Veliun
Rrethimi i televizionit dhe ndërhyrja e paligjshme te zyrat e redaksive investigative do të konfirmohej nga vetë administratori i kompanisë “KAYO” sha Ardi Veliu.

Në fakt, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë do të konfirmonte shkeljet ligjore të kompanisë “KAYO” sha, e cila nuk ka njoftuar gazetarët si palë e tretë me status dhe mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.

“Futja e vrullshme e policisë dhe ushtrisë në mënyrë flagrante në shkelje me ligjin ka sjellë pasoja që janë tjetërsuar sendet dhe materialet e televizionit të gazetarëve që kishin materiale personale, qoftë pajisje, laptop, dokumenta, të cilat i përkisnin atyre. Nuk mundet që këto dokumenta të administrohen nga policia e shtetit apo nga ushtria. Nuk e lejon ligji dhe nuk kanë asnjë kompetencë asnjë detyrë apo urdhër për të vajtur deri te kjo pikë për të sekuestruar sendet personale.”- tha avokati Ramaj.

“Gjykata e Tiranës, në vendimin e saj të 12 gushtit, e cilësoi këtë veprim si një shkelje të qartë të të drejtave. Gazetarët u trajtuan si pushtues të paligjshëm, kur në fakt ishin në vendin e punës, ku duhej të kishin marrë njoftim zyrtar dhe afat për t’u larguar. Gjykatësja Alma Kodraliu theksoi se mënyra se si u krye dëbimi nuk respektoi asnjë procedurë ligjore dhe se u cënua e drejta e gazetarëve për pronë dhe për ushtrimin e profesionit.

“Ky shtet funksionon me ligje jo me dëshirat e një individi i cili sot mund të ngrihet me nerva dhe thotë do i bëj njerëzit të ecin këmba doras. nuk duhet të lëvizin fare, apo të mos dalin fare nga shtëpia.”- shpjegon gazetari Osman Stafa.

Gjykatësja Kodraliu nuk ngarkoi me përgjegjësi vetëm Policinë e Shtetit. Në këtë rast, edhe kompania KAYO sh.a. tregoi se si një kompani shtetërore mund të veprojë në mënyrë arbitrare, duke anashkaluar rregullat e qarta të një marrëdhënieje kontraktuale.

Në vend që shoqëria publike të ndiqte rrugën e gjykatës dhe të dërgonte njoftime zyrtare, “KAYO” sha preferoi ta zgjidhte konfliktin me forcë, duke cenuar jo vetëm ligjin, por edhe besimin publik se shteti funksionon mbi rregulla dhe jo mbi vendime të njëanshme.

“Ajo që parashikoj, pas ezaurimit të të gjitha hallkave shtetërore dhe hapësirave të legjislacionit shqiptar përsa i përket ankimimeve në sistemin gjyqsor, në fund fare do të kemi një situatë të ngjashme me rastin Begeti ku pas disa vitesh do kemi vendim të gjykatave ndërkombëtare të cilët do të ngarkojnë jo qeverinë por buxhetin e shtetit, të qytetarëve të thjeshtë, të taksapaguesve shqiptarë me dhjetra e qindra miliona euro detyrime mbi këtë shkelje abuzive të kryer nën dritën e diellit dhe të denoncuar nga shumë aktorë mediatikë.“- u shpreh Dorian Teliti, anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë.

Gjendja e jashtëzakonshme te zyrat e “News24” solli edhe reagimin dhe mbështetjen nga Asosacioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe Organizatave Ndërkombëtare, si edhe deklaratën nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, e cila u mbështet nga Ambasada Gjermane dhe Holandeze në Shqipëri.

Sipas Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, mosmarrëveshjet midis të gjitha palëve të përfshira duhet të zgjidhen duke respektuar plotësisht ligjshmërinë dhe procedurat e rregullta ligjore.

Delegacioni thekson, se në këtë kontekst është e rëndësishme që çdo veprim i ndërmarrë të mos cenojë mundësinë e gazetarëve për të ushtruar lirinë e tyre në përcjelljen e informacionit dhe për të ruajtur konfidencialitetin e burimeve të tyre.

“Të gjitha organizatat ndërkombëtare që Asosacioni i gazetarëve të Shqipërisë ka informuar ka qenë në kontakt të përditshëm prej 10 ditësh, janë të alarmuara, të shqetësuara në lidhje me sitiatën në të cilën ndodhet News4.”- tha kryetari i AGSH, Isa Myzyraj.

“”Mbështetja më e fortë për ne ishin reagimet e DASH, BE, OSBE dhe organizata të ndryshme vendase dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e medias ndërkohë që u përballëm me heshtjen e institucioneve tona”- u shpreh kryeredaktorja e Gazetës Panorama, Valentina Madani.

Përveç delegacioneve kanë reaguar Reporterët pa Kufij, Qendra Europiane për Gazetari, të cilat kanë kërkuar zhbllokimin e situatës dhe ruajtjen e mjeteve dhe sendeve të gazetarëve.

Këshilli i Europës ka bërë thirrje që të hiqet bllokada ndaj “News24” dhe të mos preken sendet dhe pajisjet e qytetarëve, duke zbatuar edhe vendimin e gjykatës shqiptare.

Ky episod nuk është thjesht një histori qiraje të papaguar. Ai prek drejtpërdrejtë lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar. Kur gazetarët mbeten pa redaksi, pa pajisje dhe pa dokumente, nuk dëmtohen vetëm ata si individë, por dëmtohet e gjithë shoqëria, e cila humbet një burim informacioni.

“Edhe në ato ngjyra që ishte ditët e para, me atë colorbar-in, kushdo që thoshte çoje pak te Neësi të marrim vesh çfarë ka ndodhur, e kuptonte se çfarë kishte ndodhur. Sinjali i News4 ishte ndërprerë padrejtësisht mëngjesin e së shtunës dhe ato vijat e colorbarit thoshin shumë.” – u shpreh gazetari Renaldo Salianji.

Gjykata e bëri të qartë se shkeljet ishin të rënda, por ky rast mbetet një precedent i rrezikshëm. Nëse një kompani shtetërore dhe policia mund të nxjerrin gazetarët nga zyra pa proces dhe pa afat, atëherë çdo media tjetër rrezikon të përballet me të njëjtin fat.
Vendimi i Gjykatëses ka evidentuar të gjitha problemet dhe shkeljet në këtë rast dhe mënyrën se si është vepruar ndaj gazetarëve, të cilët kanë një status të veçantë që sanksionohet në Kushtetutë.

Realiteti tregon se gazetarët janë ata që kanë demaskuar dosje voluminoze që prokuroria i ka bllokuar, të vërteta që politika i ka mbuluar dhe sot në vitin 2025 shënjestra ngelet media dhe gazetarët, si pjesa e vetme që sfidon korrupsionin dhe arrogancën e një pushteti të kalbur nga lakmia dhe nepotizmi.

Këtë e provojnë dosjet e SPAK-ut, i cili deri tani nuk ka dalë me asnjë deklaratë për rastin në fjalë dhe bllokimin e paligjshëm të vendimit të Gjykatës Administrative për godinën që e ka qiranë deri në 2033.

Përsëritja e historisë, një shtrëngim për lirinë e fjalës
Kur ka pavarësi, ka rezistencë dhe rrjedhimisht ka konflikt. Por në këtë rast qeveria, e cila duhet të garantojë të drejtat dhe mbrojtjen e e qytetarëve është agresori që kërkon të imponohet me dhunë dhe forcë në media.

“Mënyra sesi ka vepruar policia dhe ushtria nuk ka lidhje fare me ligjin, kanë shkelur një sërë dispozitash ligjore të cilat flasin për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, futjen e përmbarimit gjyqsor i cili bën ekzekutimin e vendimit të gjykatës të aksesit të palës e cila mund të ketë humbur vendimin e gjykatës për të aksesuar te pjesët, prona e tij dhe te sendet që janë pjesë e asaj prone.” – u shpreh avokati, Redi Ramaj.

Në Shqipëri herë pas here çdo qeveri ka bërë kurban median për ti përcjellë një mesazh jo vetëm platformave të tjera mediatike, por edhe vetë qytetarëve. Liria e fjalës është një sofizëm në Shqipëri. Mund të kritikosh qeverinë me retorikë boshe, ta kritikosh nëpër rrjetet sociale, mund të thuash që politikanët janë të korruptuar, mund të thuash që janë të lidhur me këtë apo atë oligark.

“Nga njëra anë në një godinë kanë shkallmuar dyer e çfarë kanë gjetur, kanë aksesuar dokumenta fizik, sikundër munë të kenë marrë dhe kanë marrë kompjutera e çfarëdo tjetër. Është një godinë tjetër ku ne nuk dimë se çfarë ka ndodhur këto 10 ditë. A kanë hapur kompjutera, a janë marrë kompjutera, a kanë dalë nga ndërtesa a janë aksesuar dokumenta të tjera dhe kjo është mjaft e rrezikshme.”- u shpreh gazetari Osman Stafa.

Por kur gazetaria investigative mundohet të ekspozojë me prova dhe fakte ato që u thanë më lart, segmente të caktuara të qeverisë, zakonisht të korruptuara do mundohen që të mos lejojnë. Është kjo fije e hollë që ndan të vërtetën nga propaganda, gazetarinë investigative nga klithmat në rrjetet sociale apo televizive.

“Nuk mund të sekuestrohen materiale, dosje investigative, materiale që lidhen me hetime korrupsuoni nga shteti ose institucionet shtetërore të cilat janë në konflikt interesi ose kanë pasur vetë problematika te ky emision.” – u shpreh avokati Ramaj.

Fjala bie ju mund të shihni nëpër rrjetet sociale apo edhe në televizion organizata politike, profesorë dhe drejtuesish organizatash jofitimprurëse që kritikojnë prej kolltukut nga mëngjesi deri në darke qeverinë, kritikojnë lidhjet me oligarkët, por asnjëherë kjo kategori nuk sjell fakte apo denoncime në media, Prokurori ose SPAK.

Pse?

Sepse kur fillojnë hetimet nga Prokuroria prishen raportet dhe asnjëherë nuk dihet se sa thellë mund të shkojnë hetuesit. Kjo nuk u intereson të dyja palëve sepse jetojnë më njëra-tjetrën, mbështesin njëra-tjetrën në kurriz të qytetarëve dhe në fund qeveria ka në dorë komandën që bllokon ose ushqen përrenjtë financiarë që vijnë në formë donacionesh nga jashtë apo nga presta nomet e biznesit shqiptar.

Por pse u ndalëm këtu?

Sepse në momentin që u sulmua “News24”, në një krah me qeverinë filloi propaganda në rrjetet sociale dhe platformat e tjera mediatike, duke u marrë me konfliktin e qeverisë shqiptare dhe kompanisë private.

Qëllimi i këtyre përpjekjeve ishte deformimi i debatit publik pasi po injorohej dhe groposej puna e redaksive të “News24” me spitalet, me grupet kriminale, me tenderat dhe korrupsionin në drejtësi.

“Në asnjë vend të Bashkimit Evropian por edhe më gjerë në Bjellorusi, një ndërhyrje e tillë do të ishte skandaloze dhe e paarsyeshme nga institucionet shtetërore. Një media nuk mund të trajtohet si një kompani e thjeshtë private, si një biznes privat por duhet të trajtohet në shkallë më siperiore që i takon, siç e thonë dhe ligjet e BE”- tha kryetari i Asosacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj.

Krijimi i kaosit dhe minimi i besueshmërisë krijon një shoqëri kaotike të përcarë, që dyshon çdo gjë dhe çdokënd dhe kaosi i intereson atij që ka pushtetin dhe do që ta ruajë atë. Kjo është një edhe nga arsyet që ne jemi në gjendjen që jemi sot.

Për të kuptuar sulmin ndaj platformave mediatike të “FOCUS MEDIA GROUP” dhe “Panorama Group” duhet të kthehemi një dekadë mbrapa në kohë në mbylljen e televizionit “Agon Channel” dhe bllokimin e televizionit “Ora News”. E përbashkëta e të treja televizioneve rezulton linja editoriale, e cila nuk i vjen për shtat qeverisë shqiptare. Të treja këto televizione kanë përcjellë shqetësimet e qytetarëve, investigime dhe denoncimet e opozitës shqiptare.

“Mua më vjen keq se disa po marrin kosto, po përpiqen për këtë vend dhe disa të tjerë pastaj nga ai telefoni që kanë akses në shtëpi i japin drejtim duke nxjerrë vrer duke sharë dhe fyer çfarë i shkon në mendje.”-tha gazetari Osman Stafa teksa flet për tjetërsimin e problemit në debatin publik online.

“Kur cënohet liria e medias askush nuk duhet të mbyllë gojën, dhe veprimi apo heshtja e tyre e bën shumë të rëndë dhe kuptimplotë aktin e mbylljes së televizionit News24”, tha Anila Jole.

Rastet e mbylljes së televizioneve kanë rezultuar me një faturë të shtrenjtë në arbitrazh për buxhetin publik, pasi gjobat nga Gjykata Europiane nuk i paguajnë ministrat dhe deputetët, por qytetarët shqiptarë. Këto raste janë sinjale që ndërhyrja te “News24” do të jetë një tjetër rast, ku shteti do marri para nga xhepat e qytetarëve për të paguar me një faturë deri në 100 milionë euro për gafat dhe inatet e qeverisë shqiptare.

Sulmi ndaj televizionit, gazetave print dhe online ishte një efekt domino që bie mbi një grup gazetarësh, të cilët prej vitesh raportojnë nga terreni dhe zyrat e televizionit shkeljet ligjore të institucioneve publike, organizatat kriminale, vjedhjen e fondeve nga zyrtarët e lartë dhe problemet në shëndetësi.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb