Një aksident tragjik u regjistrua mbrëmjen e së shtunës në aksin rrugor Lezhë- Kakarriq.

Babë e bijë humbën jetën pasi automjeti me të cilin po udhëtonin doli nga rruga dhe u përmbys në një kanal me ujë në afërsi të fshatit Gocaj. Viktimat te këtij aksidenti mbeten mjeku Anton Keçi 53 vjeç, dhe vajza e tij studente e Mjekësisë, Bora Keçi, 20 vjeç.

Ngjarja u zbulua në orët e vona të mbrëmjes, pas denoncimit në polici të djalit të familjes për humbjen e kontakteve me babain dhe motrën e tij, trupat e të cilëve u gjetën afër mesnatës në automjetin me të cilin ata ishin përmbysur në afërsi të fabrikës së çimentos, në një rrugë dytësore.

Policia bëri të ditur se ne momentin e aksidentiti mjeti drejtohej nga 20-vjeçarja Bora Keçi, e cila dyshohet të ketë humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe përmbysur në kanal.

Në momentin e aksidentit babë e bijë po ktheheshin nga kampi i emigrantëve në Gjadër, ku punonin me kohë të pjesshme. 53-vjeçari Anton Keçi ishte me profesion mjek dhe ushtronte prej vitesh detyrën e shefit të shëndetësisë në burgun e Shënkollit në Lezhë, ndërsa vajza e tij 20-vjeçare studente në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb