BalkanWeb siguron listën e kandidatëve për anëtar të Këshillit Kombëtar të PD. Ish-deputetë dhe drejtues demokratë me kontribute ndër vite kandidojnë për forumin më të madh vendimmarrës të Partisë Demokratike. Kandidojnë ish-deputetja Dhurata Çupi dhe të tjerë ish-ligjvënës të PD si Genc Pollo, Ardian Turku, Bedri Hoxha, Asllan Dogjani, Aurel Bylykbashi, Gjok Vuksani, Petrit Doda, Roland Keta e Adriana Gjonaj etj.

Gjithashtu, mes emrave të kandidatëve bie në sy ai i reperit Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit, Stresi. Avokati Jordan Daci është në mesin e kandidatëve për anëtar të KK. Po ashtu, për një vend në Këshillin Kombëtar të PD kandidon edhe Juela Meçani, ish-zëdhënësja e Sali Berishës.

Glauk Olldashi dhe Azem Hajdari, përkatësisht djali i Sokol Olldashit dhe ai i “Heroit të Demokracisë”, Azem Hajdari kandidojnë për anëtarë të KK, nga lista e FRPD. Forumi i gruas dhe të rinjtë do të kenë kuota përfaqësimi në Kuvendin e ri Kombëtar të demokratëve.

 

  • foto galeri
  • foto galeri

Kuvendi Kombëtar i PD pritet të zgjedhë rreth 200 anëtarë për Këshillin Kombëtar. Risitë dhe ndryshimet kryesore janë; fuqizimi dhe përfaqësimi nga Diaspora, fuqizimi dhe përfaqësimi i grave, ngritja dhe strukturë për seleksionimin e kandidatëve për primaret. Po ashtu është propozuar përmirësimi i strukturave të grup seksioneve.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi do të paraqesë para Kuvendit 8 ndryshimet statutore, të cilat më tej do të hidhen në votim. PD zbeh primaret, pra zgjedhjen e kandidatëve për deputet apo kryetarë bashkie nga anëtarësia. Në statutin e ri, ngrihet një komision në parti që seleksionojë propozimet që vijnë, para se të shprehet anëtarësia me votë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb