Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka firmosur këtë të enjte disa dekrete që lidhen me ndryshime dhe emërime të rëndësishme në strukturat drejtuese të Forcave të Armatosura.

Me Dekretin nr. 25, datë 16 janar 2026, Kreu i Shtetit ka dekretuar lirimin e Nënadmiral Adnand Dëfrim Agastra nga detyra e Komandantit të Forcës Detare.

Ndërkohë, me Dekretin nr. 26, po të së njëjtës datë, Presidenti Begaj ka emëruar Kundëradmiral Arsen Burhan Mullaj në detyrën e Komandantit të Forcës Detare.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës ka firmosur edhe dhënien e gradave madhore për disa drejtues të Forcave të Armatosura. Me Dekretin nr. 27, datë 16 janar 2026, Kolonel Razije Kadri Mehmeti, Drejtore në Drejtorinë e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak J-9 në Shtabin e Përgjithshëm të FA, është graduar me gradën “Gjeneral Brigade”.

Me Dekretin nr. 28, Kolonel Fatmir Sadri Neziraj, Drejtor në Drejtorinë e Operacioneve dhe Stërvitjes J-3/7 në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, është graduar gjithashtu me gradën madhore “Gjeneral Brigade”.

Po ashtu, me Dekretin nr. 29, Presidenti Begaj ka dekretuar dhënien e gradës “Gjeneral Brigade” për Kolonel Edmond Abaz Voci, Komandant i Qendrës së Kontroll Raportimit në Forcën Ajrore.

Vendimet e Presidentit synojnë forcimin e strukturave drejtuese dhe rritjen e kapaciteteve profesionale në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb