Policia njofton se janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy të dyshuar si autorë të vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla i njohur edhe si Edmond Hyka, ndërsa kanë rënë në pranga 2 bashkëpunëtorë në krim.

Gjatë një deklarate për mediat, Policia e Elbasanit njoftoi se në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, u arrestuan Xhino Ago dhe Kujtim Pisha (roja i karburantit në pronësi të Mëhallës), si dhe u shpallën në kërkim Marselo Arani dhe Armando Kola. Dy të fundit sipas Policisë janë autorët e krimit.

Roja i karburantit akuzohet për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion për ngjarjen.

Gjatë veprimeve hetimore u gjet i djegur automjeti i përdorur nga autorët dhe arma e zjarrit e përdorur në ngjarje.

Gjithashtu, u sekuestruan dokumenta shitblerjeje automjeti, 3 celularë dhe 2 DVR.

Dinamika e krimit

Mbrëmjen e 30 nëntorit, biznesmeni Mondi Mëhalla u ekzekutua në automjetin e tij  në lagjen “Emin Matraxhiu” nga 2 persona. Skena e krimit ndodhi në një zonë të monitoruar me kamera sigurie.

Pasi u administruan provat e mjaftueshme dhe në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i Xhino Ago, 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

Kujtim Pisha, 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Dhe u shpallën në kërkim Marselo Arani, 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe Armando Kola, 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xhino Ago, i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit Marselo Aranit.

Veprimet hetimore vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Provat që çuan në zbardhjen e vrasjes

Gjatë veprimeve hetimore, Policia gjeti:

•automjetin e autorëve të djegur,

•armën e zjarrit të përdorur në ekzekutim,

•dokumenta shitblerjeje automjetesh,

•3 celularë

•2 DVR që përmbajnë pamje filmike që dokumentojnë mekanizmin e ngjarjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb