Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me kontrollet e zhvilluara nga SPAK në lidhje me Call Centerat në Tiranë.

Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se janë arrestuar 10 persona, ndërsa janë shpallur në kërkim nga SPAK, 3 vëllezërit, Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj, ku njëri prej tyre, Alfred Prekaj rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro” me objekt call Center, Telemarketing.

Sipas burimeve, nga kontrollet janë zbuluar disa prova materiale, ndërsa ato po vijojnë edhe sot, bashkë me marrjen në pyetje të disa personave të lidhur me çështjen.

Kontrollet u kryen në kuadër të një hetimi të përbashkët me autoritetet italiane, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.

Ky operacion nisi pas denoncimeve në emisionin Le Iene në Itali. Prej disa javësh, hetimi i gazetarit italian Luigi Pelazza ka zbuluar ekzistencën e një sistemi të organizuar që, nëpërmjet call centerave, të cilat veprojnë në disa vende përfshirë edhe Shqipërinë, ka mashtruar dhe vjedhur miliona euro nga mijëra viktima në të gjithë botën.

Skema bazohet në telefonata që premtojnë fitime të lehta dhe platforma dixhitale që simulojnë investime në situata të cilat në fakt nuk ekzistojnë. Përmes rrëfimit të një burimi të brendshëm, u gjurmuan nivelet më të larta të organizatës, duke përfshirë identifikimin e personit përgjegjës për rekrutimin e personelit të qendrave të thirrjeve në Shqipëri.
Gazetari italian zbuloi se si funksionon mashtrimi. Konkretisht operatorët kërkojnë një investim fillestar prej 250 eurosh, për të investuar në aksionet e finivest, të garantuara nga shteti italian.

Kur qytetarët pranojnë të bëjnë investimin fillestar, atyre ju lejohet aksesi në një websajt ku ju shfaqet një shumë prej 50 mijë eurosh, që u prezantohet nga operatori si llogaria e tyre personale. Kur qytetari vendos të tërheqë paratë, në sistem u shkruhet se duhet të kryejnë një transfertë të re për të bërë të mundur tërheqjen e fondeve.

Në këtë mënyrë shuma që u vidhej qytetarëve shumëfishohej, derisa ata e kuptonin se nuk do të mund t’i marrin kurrë paratë e tyre. Autoritetet kanë zbuluar gjurmë të personave përgjegjës për vjedhjet, gjurmë të cilat i kanë sjellë edhe në Shqipëri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb