Tre shtetas janë arrestuar në flagrancë dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë, si rezultat i operacioneve të shënjestruara kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetin e Kukësit.

Policia njofton se në pranga kanë rënë shtetasit Daljan Dobrushi, Gerlad Shahu dhe Vullnet Elezi.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, kanë ndërhyrë në dy raste të veçanta, si pjesë e kontrolleve të vijueshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Në një nga rastet, në qendër të qytetit, policia ndaloi një automjet me drejtues shtetasin D. D., 20 vjeç, dhe pasagjerët G. Sh., 18 vjeç, dhe V. E., 27 vjeç. Gjatë kontrollit fizik ndaj tyre, u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar si cannabis sativa, e ndarë në 14 doza, e dyshuar se do të shpërndahej për shitje.

Të tre shtetasit u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërkohë që lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Ndërkohë, në një rast tjetër, shtetasi E. R., 28 vjeç, banues në Kukës, u procedua në gjendje të lirë pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike, gjithashtu cannabis sativa.

Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e lidhjeve të mundshme me rrjete të shpërndarjes së narkotikëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb