Policia e Lushnjës ka gjetur armë zjarri në një lokal të mbushur me të rinj, duke parandaluar një situatë që mund të kishte përfunduar me pasoja të rënda.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë ndërhynë në një bar-kafe në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, pas informacioneve operative se një shtetas lëvizte i armatosur në qytet. Gjatë kontrollit, efektivët gjetën një pistoletë me municion luftarak të fshehur në xhepin e një xhupi të lënë mbi një karrige pranë tavolinës ku ndodheshin disa të rinj.
Nga veprimet hetimore rezultoi se arma i përkiste shtetasit M. S., 21 vjeç, banues në Lushnjë, i cili ishte larguar pak minuta para ndërhyrjes dhe është shpallur në kërkim.
Ndërkohë, 5 të rinj që ndodheshin në të njëjtën tavolinë, E. K., S. Sh., G. M., H. T. dhe L. S., u arrestuan për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, pasi nuk treguan pronësinë e armës dhe penguan veprimet e Policisë.
Gjatë kontrollit në banesën e 21-vjeçarit, u gjet edhe municion luftarak, duke forcuar dyshimet për armëmbajtje pa leje.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi armën e zjarrit, municionin luftarak, një automjet dhe 5 celularë. Materialet i janë referuar Prokurorisë, ndërsa vijon puna për kapjen e të riut në kërkim.
Njoftimi i plotë i policisë
Sekuestrohen një armë zjarri tip pistoletë, municion luftarak, 1 automjet dhe 5 celularë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas lëvizte me armë zjarri në qytet, dhe se ndodhej në një lokal bashkë me disa shokë të tij, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e tij.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar lokalin, një bar-kafeje në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, ku dyshohej se ndodhej shtetasi i armatosur dhe kanë ndërhyrë për arrestimin tij. Gjatë ndërhyrjes shërbimet e Policisë kanë gjetur në xhepin e një xhupi, që ishte lënë në nga karriget e tavolinës ku ndodheshin 5 të rinjtë, një armë zjarri pistoletë me municion luftarak. Në vijim të veprimeve u bë e mundur identifikimi i personit që posedonte xhupin dhe armën e zjarrit , konkretisht shtetasi M. S., 21 vjeç, banues në Lushnjë, i cili ishte larguar pak minuta më parë për në një berberhane dhe do kthehej përsëri.
Po në vijim të veprimeve u arrestuan shtetasit E. K., 20 vjeç, S. Sh., 24 vjeç, G. M., 21 vjeç, H. T., 20 vjeç dhe L. S., 22 vjeç, të gjithë banues në Lushnjë, të cilit ishin në një tavolinë me shtetasin M. S, dhe nuk treguan se kujt i përkiste xhupi dhe arma duke penguar Policinë në veprimet e saj. Po në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. S , u gjet municion luftarak (fishekë).
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit tip pistoletë, municioni luftarak, 1 automjet dhe 5 aparate celularë. Vijon puna për kapjen e 21 vjeçarit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, në ngarkim të 5 shtetasve të arrestuar, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në ngarkim të shtetasit M. S., të shpallur në kërkim.
