Policia e Durrësit ka arritur të çlirojë nga pengmarrja, një 30-vjeçar që ishte rrëmbyer nga tre persona të tjerë dhe futur me dhunë në makinën e tyre me të cilën po i drejtoheshin Shkozetit. Arsyeja e marrjes peng ishin 6 mijë paund borxh që i rrëmbyeri ia kishte palës tjetër për shkak të pazareve të drogës në Angli.

Në pranga ranë tri persona, Iljaz Kotorja, Geri Cani dhr Jurgen Delia, në kuadrin e operacionit policor “Borxhi”.

Njoftimi i policisë:

Morën me forcë një shtetas, në automjet, ndërhyrja në kohë e Policisë bëri të mundur lirimin e 30-vjeçarit.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Borxhi”, u kapën dhe u vunë në pranga 3 shtetasit që morën me forcë dhe i hoqën lirinë 30-vjeçarit. Më konkretisht kanë rënë shtetasit Iljaz Kotorja, Geri Cani dhe Jurgen Delia.

Pengamarrja, për shkak të një borxhi për veprimtari kriminale të kryer jashtë shtetit, në fushën e trafikimit të narkotikëve.

Autori kryesor i pengmarrjes dhe shtetasi i marrë peng, të dy të dënuar më parë, në Britani, për krime në fushën e narkotikëve.

Shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën policore se tre shtetas kishin marrë peng një shtetas dhe po lëviznin në zonën e plazhit, në drejtim të Shkozetit, me një automjet, kanë organizuar punën dhe falë reagimit në kohë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin e dyshuar.

Nga kontrolli rezultoi se në automjet ndodheshin 4 shtetas, njëri nga të cilët ishte i marrë peng nga 3 shtetasit e tjerë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi B. H. ishte marrë dhe mbajtur pa dëshirën e tij, në automjetin tip “BMW X5”, nga shtetasit I. K., 27 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë, G. C., 26 vjeç, banues në lagjen nr.13, Durrës dhe J. D., 29 vjeç, banues në lagjen nr.14 Shkozet, Durrës.

Këta tre shtetas po e kërcënonin shtetasin B. H., për t’iu dhënë shumën 6 000 paund, të cilën shtetasi I. K. pretendonte se ia kishte detyrim shtetasi B. H., për një çështje droge në kohën kur të dy këta shtetas kryenin dënimin për narkotikë, në shtetin britanik, në të njëjtën qeli burgu.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve I. K., G. C. dhe J. D., dhe materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, të kryera në bashkëpunim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: