Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Cërrik kanë referuar materialet dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin Enis Duro, 38 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje” (neni 76/22), “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” (neni 283/1) dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” (neni 279), sipas Kodit Penal.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta, ku Enis Duro ka goditur me automjet shtetasin Orlando Kamami, 47 vjeç, në një moment kur ky i fundit po qëndronte në trotuar. Pas përplasjes, 38-vjeçari është konfliktuar fizikisht me të dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Shtetasi O. K. ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e konfliktit, policia ka sekuestruar automjetin e autorit të dyshuar. Gjatë kontrollit brenda mjetit, u gjetën dhe u sekuestruan:
• 1 thikë,
• 1 kosore me bisht metalik,
• një sasi lënde e dyshuar narkotike (cannabis sativa),
• 1 telefon celular.
Vijojnë veprimet për kapjen e 38-vjeçarit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.
