Ndarja e parakohshme nga jeta e të birit u shndërrua në akt vetëflijimi për një 72-vjeçare nga Lezha, e cila nuk mundi të përballojë humbjen e madhe dhe i dha fund jetës.

Ngjarja ndodhi në fshatin Lalm i Ri, ku 42-vjeçari Aleksandër Marku u gjet pa shenja jete në dyqanin e tij, ndërsa policia bën të ditur se nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë vërejtur shenja dhune, ndaj dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.

Me marrjen e lajmit të dhimbshëm, në gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjikë 72-vjeçarja Prene Marku i dha fund jetës, duke u vetëvarur.

Nëna u gjet pa shenja jete nga familjarët në ambientet e shtëpisë, duke shkaktuar dhimbje të madhe për ta. Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore dhe përcaktimin e saktë të shkakut të humbjes së jetës.

Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 19:30 të mbrëmjes së djeshme, në lagjen Gurra, Lezhë, në dyqanin e tij me vegla pune, është gjetur pa shenja jete shtetasi A. M., 42 vjeç, banues në fshatin Lalm, Lezhë. Nga veprimet e para hetimore nuk janë konstatuar shenja dhune dhe paraprakisht dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.

Ndërkohë, dyshohet se nëna e tij, shtetasja P. M., 72 vjeçe, pas marrjes së lajmit për humbjen e jetës së djalit të saj, në gjendje të rënduar psikologjike, dyshohet se ka varur veten e cila u gjet e pajetë nga familjarët në ambientet e banesës në fshatin Lalm i Ri, Lezhë.

Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore dhe përcaktimin e saktë të shkakut të humbjes së jetës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb