Nesër (e premte) në mesditë, 7 të ndaluarit gjatë protestës së 10 shkurtit e organizuar nga opozita do të paraqiten në gjykatë për shqyrtimin e masave të sigurisë.
Policia ka deklaruar se të ndaluarit akuzohen për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”;
Sic njofton gazetarja e News24, Klodiana Lala, 7 protestuesit e ndaluar janë Rei Bogdani, Sindrit Peka, Joel Korbi, Kreshnik Kastrati, Zeni Guraj, Daniel Zekaj dhe Oresti Halilaj.
Po ashtu, nën hetim në gjendje të lirë u vu edhe sekretari organizativ i PD-së Ervin Minarolli, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Shtytja e të miturit në krim”.
Po ashtu materialet u referuan edhe për deputetët Belind Këlliçi, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Luan Baçi, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shtytja e të miturit në krim”.
Sipas policisë, nga molotovët mbetën të lënduar 16 efektivë, të cilët pësuan djegie dhe dëmtime fizike dhe u mjekuan në spital.
Në spital përfundoi gjithashtu edhe deputeti Bledjon Nallbati, i cili pësoi hematomë në kokë dhe pati shqetësime nga gazi lotsjellës që hodhi policia.
