Një skemë e mirëorganizuar kontrabande dhe mashtrimi me veshje të falsifikuara është goditur nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Shqipëri. Dy fabrika të mëdha, të pozicionuara përgjatë rrugës së Arbrit, janë përdorur si qendra për magazinimin dhe transformimin e veshjeve të kontrabanduara, të cilat më pas shiteshin në treg si produkte të markave të njohura ndërkombëtare.

Në krye të kësaj veprimtarie kriminale qëndron një shtetas turk, Ozkan Sulun, i cili aktualisht është shpallur në kërkim nga autoritetet. Hetimet kanë zbuluar se ai kishte ngritur një strukturë të tërë, përmes së cilës sillte veshje kontrabandë – kryesisht nga Turqia – për t’i transformuar më pas në produkte të rreme me logo të firmave prestigjioze si Hugo Boss, Calvin Klein, Air Jordan dhe Tommy Hilfiger.

Veshjet fillimisht futeshin ilegalisht në vend, më pas depozitoheshin në dy fabrika të pajisura me teknologji për stampimin e logove. Ato përgatiteshin në mënyrë që të duken si produkte origjinale dhe hidheshin në treg duke mashtruar blerësit e zakonshëm.

Si rezultat i këtij operacioni, katër persona janë arrestuar: Luan Haka, Ali Bushati dhe Xhuljo Lecaj – të cilët figurojnë si administratorë të fabrikave – si dhe Arjan Hida, i cili kishte dhënë ambientet me qira. Ndërkohë, dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim: Lindion Haka, djali i Luan Hakës dhe gjithashtu administrator i një fabrike, si dhe Ozkan Sulun, organizatori kryesor i rrjetit.

Katër punonjës të zakonshëm të fabrikave do të hetohen në gjendje të lirë. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

Policia e Shtetit

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, operacioni policor i koduar “Fake Star 5”.

Zbulohen në Rrugën e Arbërit, 2 magazina ku stampoheshin veshje të kontrabanduara, me logo false.

Arrestohen 4 shtetas të implikuar në këto veprimtari kriminale.
Shpallen në kërkim 2, njëri prej tyre shtetas turk.
Procedohen në gjendje të lirë 4 punonjës.

Sekuestrohen sasi të mëdha veshjesh, dhjetëra makineri qepjeje, printimi ose stampimi, logo të markave të njohura ndërkombëtare, 6 dokumente të shtetasit turk, një shumë lekësh, njësi kompjuterike, 1 celular, si dhe sende/dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Si rezultat i administrimit të inteligjencës policore, të siguruar në vijim të punës kundër kontrabandës dhe krimeve të tjera ekonomiko-financiare, se në Rrugën e Arbërit, në fshatin Brrar, magazinoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar finalizoi operacionin “Fake Star 5”.

Gjatë operacionit:
-u arrestua shtetasi Lindion Haka dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi Luan Haka, bashkadministratorë të njërës prej magazinave;
-u arrestuan shtetasit Ali Bushati dhe Xhuljo Lecaj, bashkadministratorë të magazinës tjetër;
-u arrestua shtetasi Arjan Hida, qiradhënës i pronave;
-u shpall në kërkim shtetasi turk Ozkan Sulun, i cili koordinonte realizimin e këtyre veprimtarive kriminale;
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasit R. Gj., Z. H., Sh. M. dhe A. H., punonjës në këto magazina.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, u konstatua se 2 magazinat ishin të pajisura me linja makinerish për qepje, printim dhe stampim me logo false, të markave të njohura ndërkombëtare, të veshjeve dhe aksesorëve të dyshuar të kontrabanduar.

Punohet për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb