Policia e Shtetit ka finalizuar një fazë të rëndësishme të operacionit ndërkombëtar të koduar “Fingerprint”, një hetim i gjerë që ka përfshirë Shqipërinë, Italinë dhe Zvicrën. Ky operacion, i realizuar në bashkëpunim mes Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Qarkut Antimafia të Carabinieri në Borgo San Lorenzo dhe Zyrës së Sigurisë në Ambasadën e Italisë në Shqipëri, ka rezultuar në arrestimin e një prej individëve kryesorë të një organizate kriminale që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.

Operacioni u zhvillua gjatë një periudhe dyvjeçare, nga viti 2020 deri në vitin 2021, dhe kishte si qëllim kapjen e anëtarëve të një grupi kriminal që operonte në Shqipëri, Itali dhe Zvicër. Gjatë hetimeve, gjykata e Firenzes lëshoi 12 urdhra arresti për individë të dyshuar për trafikimin e lëndëve narkotike, ku 10 prej tyre u ekzekutuan (9 në Itali dhe 1 në Shqipëri), ndërsa dy shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim.

Një nga arrestimet më të rëndësishme të këtij operacioni u bë në Fier, ku Policia e Shtetit arrestoi shtetasin shqiptar Edi Hoxha, i njohur ndryshe si Edison Hoxha, 41 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Hoxha është akuzuar për koordinimin e veprimtarisë kriminale të organizatës, që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike, veçanërisht kokainës dhe kanabisit, në Shqipëri, Itali dhe Zvicër gjatë periudhës 2020-2021.

Gjykata e Firenzes ka lëshuar një vendim që ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Hoxhën, ndërsa hetimet vazhdojnë për të finalizuar ekstradimin e tij në Itali, ku ai do të përballet me akuza të rënda, duke përfshirë trafikimin e lëndëve narkotike, një veprimtari që ndëshkohet me deri në 24 vjet burgim sipas Kodit Penal italian.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb