Ndalohet me urdhër të prokurorisë efektivi Besart Kovaçi, i akuzuar për moskallëzim krimi pas atentatit të ndodhur mbrëmjen e së dielës në Rrile të Lezhës. 21-vjeçari Merando Nikulaj dyshohet të ketë qenë shënjestra e atentatit.

I riu është nipi i Ardjan Nikulajt i vrarë në vitin 2023 në biznesin e tij në Shëngjin. Ai ka shkuar në Berberhane, në shoqërinë e efektivit të patrullës së përgjithshme, Besart Kovaçi.

Nga breshëria e plumbave të kallashnikovit nga persona ende të paidentifikuar mbeti i plagosur pronari i berberhanes, 30-vjeçari Sokol Daci. Ai mori 3 plumba në trup dhe ndodhet në Spitalin e Traumës. Brenda në berberhane ndodheshin dhe 4 persona të tjerë.

Ka dyshime të forta që 21-vjeçari Merando Nikulaj mund të jetë plagosur, për shkak se teksa largohej ai shfaqet në kamerat e sigurisë duke ecur me vështirësi. Por grupi hetimor nuk ka ende asnjë të dhënë për të, ndërsa policia po ushtron kontrolle në disa biznese dhe banesa, për ta shoqëruar dhe marrë në pyetje.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar 2 automjete tip “Audi” dhe “Passat” që afrohen përpara sallonit, prej nga dalin 7 persona, dy prej së cilëve të armatosur me kallashnikov.

Nga brenda berberhanes ka qëlluar polici Besart Kovaçi, patrullë e përgjithshme në komisariatin Lezhë-Mirditë, që ndodhej jashtë shërbimit. Ai ka deklaruar pas ngjarjes se reagoi për të parandaluar një sulm me pasoja fatale.

Por burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ai ishte personi që shoqëronte Nikulajn në berberhane. Brenda sallonit janë gjetur 16 gëzhoja. Arma e tij e shërbimit kishte 15 plumba dhe brenda pistoletës janë gjetur 5. Për këtë arsye hetuesit dyshojnë se në vendngjarje të jetë përdorur edhe një armë e tretë, për të cilën kanë nisur hetimet. Ndërsa në drejtim të sallonit janë qëlluar me mbi 30 plumba.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb