Një 35-vjeçar është arrestuar nga policia e Fierit pasi ishte shpallur në kërkim për “dhunë në familje” dhe “Goditja për shkak të detyrës”.
Blutë njoftojnë se Daniel Shkrela ishte shpallur në kërkim pasi ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij si edhe ka goditur me sende të forta një 50-vjeçar, me detyrë avokat.
Njoftimi:
Fier/Në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e shtetasve në kërkim, u finalizua operacioni policor i koduar “Waiting”.
Si rezultat, u kap dhe u vu në pranga 1 shtetas (me precedent kriminal në fushën e krimeve kundër personit) i shpallur në kërkim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Goditja për shkak të detyrës”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin Daniel Shkrela, 35 vjeç, banues në Fier, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimet e datave 23.09.2024 dhe 23.12.2024 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale“Dhuna në familje” dhe “Goditja për shkak të detyrës”.
Ky shtetas ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij, shtetases N. Sh., si edhe ka goditur me sende të forta shtetasin E. S., 50 vjeç, me detyrë avokat.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.