Policia e Shtetit ka njoftuar arrestimin në Itali të një 42-vjeçari shqiptar, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitesh për veprën penale të trafikimit të qenieve njerëzore.
Kapja e të kërkuarit erdhi si rezultat i koordinimit të plotë të informacioneve dhe veprimeve operacionale ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Romës. Shtetasi i arrestuar në shtetin fqinj është Sefer Selimaj, i njohur gjithashtu me emrin e dytë (alias) Ani Ibraliu, 42 vjeç.
Ky shtetas rezultonte person në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit Tiranë, që në vitin 2017, e ka dënuar atë përfundimisht me 15 vjet burgim për trafikim të qenieve njerëzore. Sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve policore, nga ky dënim i dhënë nga drejtësia shqiptare, 42-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur ekzaktësisht edhe 13 vjet, 10 muaj dhe 19 ditë burgim.
