Policia e Kavajës njofton se ka identifikuar dhe vënë në pranga autorin e dyshuar për zjarrin që ra mbrëmjen e djeshme në territorin e fshatit Kryeluzaj.

Sipas informacionit të policisë, zjarri përfshiu një sipërfaqe të madhe toke me pemë frutore.

Falë veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit G. B., 47 vjeç, banues në Kavajë.

Arrestimi i tij u bë pasi, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke përfshirë një sipërfaqe të madhe toke dhe pemë frutore, në fshatin Kryeluzaj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët të mos ndezin zjarr për djegien e mbeturinave apo të mbetjeve të prodhimeve bujqësore, si dhe për qytetarët të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë sipërfaqeve të pyllëzuara.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb