Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me 40-vjeçarin që u arrestua sot në Tiranë, pasi gjatë një ndjekje nga uniformat blu, ai duke drejtuar një automjet tip “Land Rover” përplasi disa makina të patrullës së policisë dhe rrezikoi jetën e efektivëve por edhe kalimtarët. I arrestuari është Enis Vrapi. BalkanWeb dhe News24 siguruan pamjet ekskluzive nga kjo ngjarje e pazakontë në kryeqytet.
12 ditë më parë ai ishte arrestuar nga policia në banesën e tij në rrugën “Fortuzi”. Agresori ishte ndaluar pasi qëllonte brenda në shtëpi me një armë sportive lodër, kapsollat e të cilës krijonin zhurmën si të një arme të vërtetë. Policia ndërhyri për prishje të qetësisë publike pas ankesave nga fqinjët.
Enis Vrapi është i njohur si person me probleme të shëndetit mendor dhe ka një kartelë mjekësore. Për shkak të gjendjes së tij, ai është dërguar në Spitalin 5 pranë QSUT, për vlerësim mjekësor.
(BalkanWeb)
