Policia e Shtetit njofton se i është bashkuar operacionit policor ndërkombëtar të koduar “SACRIPANTE.AL” i zhvilluar në dy vende, Itali dhe Shqipëri. Operacioni është iniciuar nga Prokuroria e Venecias, në vitin 2022, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve. Në vendin tonë është arrestuar një 24-vjeçar i identifikuar si Klinder Luka, ndërsa 10 të tjerë kanë rënë në pranga në Itali.

I arrestuari, sipas bluve, është pjesë rrjetit të trafikut droge në Itali dhe pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal. Gjykata e Venecias ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, mbi dyshime për kryerje të veprave penale në fushën e narkotikëve, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Njoftimi i Policisë

Kapet në Shqipëri, një shtetas i akuzuar për pjesëmarrje në këtë grup.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, të kryera në koordinim me partnerët italianë, në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar nga Prokuroria e Venecias, Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSh, në bashkëpunim me DVP Lezhë, me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, me Zyrën e Ekspertit të Sigurisë Italiane dhe me Karabinierinë e Venecias, zhvilloi në Shqipëri, operacionin ndërkombëtar antidrogë, të koduar “SACRIPANTE.AL”.

Gjatë operacionit u lokalizua dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, Klinder Luka, 24 vjeç.

Gjykata e Venecias ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, mbi dyshime për kryerje të veprave penale në fushën e narkotikëve, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, sipas parashikimeve të neneve 81, 110 dhe 73 të Kodit Penal italian.

Gjatë operacionit “SACRIPANTE”, u vunë në pranga në Itali, 10 shtetas.

Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët, për ekstradimin në Itali, të shtetasit të arrestuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb