Një ngjarje e rëndë është regjistruar në lagjen “Pavarësia”, në afërsi të rrugës “Çipaj” në Vlorë.
Pas një konflikti mes disa personave, 63-vjeçari Ismail Aliaj ka ndërruar jetë. Sipas burimeve mjekësore, ai ka marrë goditje në pjesën e fytyrës dhe të grykës, plagë të cilat kanë rezultuar fatale, duke mos mundur t’i mbijetojë dëmtimeve.
Ndërkohë, djali i viktimës ka mbetur i lënduar lehtë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Vlorës është vënë në ndjekje të autorëve, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Vlorë / Informacion paraprak
Sot, rreth orës 15:00, në vendin e quajtur “Rruga e Çipave”, dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi I. A., 63 vjeç, është goditur me grushte nga dy shtetas, tashmë të identifikuar nga shërbimet e Policisë dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi I. A, ka humbur ndjenjat dhe është transportuar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku më pas ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon intensivisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
