Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim Maltin alias Anton Gjini, i cili dyshohet se është autori i vrasjes së ndodhur një ditë më parë në fshatin Qafë Qelë të Pukës, ku Pjetër Gjoka ka humbur jetën pas një plumbi të marrë në bark.
Gazetari Senad Nikshiqi raporton për BalkanWeb se fillimisht 44-vjeçari nga Lezha mbeti i plagosur në vendin e quajtur Kaftallë në zonën e Pukës, dhe më pas u transportua nga dy persona të panjohur deri tek qendra shëndetësore në Vau Dejës për t’i dhënë ndihmën e parë, ndërsa nuk dihet nëse ata kishin njohje më parë me viktimën apo ishin kalimtarë të rastit.
Më pas Pjetër Gjoka për shkak të plagës së rëndë u dërgua drejt spitalit rajonal të Shkodrës për një mjekim më të specializuar dhe menjëherë iu nënshtrua një operacioni, por ka humbur jetën në sallë.

(Viktima)
Ajo që dihet deri më tani është se autor i dyshuar është shtetasi Martin Gjini i cili është shpallur në kërkim nga policia e Pukës. Policia dyshon se këta dy shtetas kanë pasur njohje me njëri-tjetrin dhe pas një konflikti mes tyre ka ndodhur edhe vrasja e 44-vjeçarit. Pas kësaj ngjarje të rëndë shërbimet e Policisë dhe grupi i posaçëm hetimor kanë vijuar intensivisht punën për grumbullimin e provave, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit, zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit Maltin alias Anton Gjini, 36 vjeç, banues në Lezhë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
