Është ende pa autor sulmi me armë në banesën e prindërve të gazetares së News24, Klodiana Lala. 48 orë pas ngjarjes së rëndë policia nuk ka njoftuar ende nëse ka të dyshuar për sulmin me automatik. Në një deklaratë të përbashkët me Prokurorinë, ku u tregua e rezervuar në detaje,policia tha se është ngritur një grup i posacëm hetimor, ndërsa hetimi po kryehet me metoda speciale, për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes, si edhe identifikimin e autorëve.

Ditën e djeshme, gazetarja Klodiana Lala dha dëshminë e saj për më shumë se 3 orë në Prokurorinë e Tiranës. Para prokurorëve, mësohet se Lala i ka qëndruar, deklaratës së saj të bërë pak orë pas ngjarjes, se sulmi në banesën e prindërve lidhet me punën e saj si gazetare, dhe lajmet investigative të publikuara në Neës24. Gazetarja Klodiana Lala, ka theksuar sërish se ajo dhe familjarët e saj nuk kanë asnjë konflikt me persona të tjerë.

Ndërkaq mësohet se Prokuroria e Tiranës, ka nisur një hetim penal lidhur me sulmin me armë, me akuzën e vrasjes me dashje mbetur në tentativë ndaj dy apo më shumë personave, si edhe armëmbajtje pa leje. Po në Prokurori janë thirrur të japin dëshminë e tyre për ngjarjen edhe familjarët e gazetares Lala,të cilët gjithashtu i kanë qëndruar versionit se nuk kanë konflikte me askënd.

Sulmi me armë në banesën e prindërve të gazetares Klodiana Lala, ndodhi orët e para të mëngjesit të 30 gushtit, në rrugën “Shkëndija”, fshati Bruk, Tiranë ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Arif Lala, babai i gazetares Klodiana Lala. Në momentin e sulmit, në banesë ishin prindërit e saj, vëllai, dy fëmijët e gazetares dhe dy miq të afërm të familjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb