Eneda Tarifa, këngëtarja e dashur për publikun shqiptar, ishte e ftuara e dytë e mbrëmjes në “Dola te Ola”. Ajo performoi shkëlqyeshëm live një nga këngët e fundit që ka publikuar, e cila është pëlqyer shumë, “Dashuri siberiane”.

Është bukur kur rrugëton në kujtimet e artistëve, po aq bukur kur i shohim në botën e tyre familjare. Eneda tregoi se është e vogla e shtëpisë dhe si e tillë është më e përkëdhelura. Këngëtarja rrëfeu marrëdhënien e ngushtë që ka me familjen e saj, u emocionua e u përlot teksa tregoi raportin që ajo ka me të vëllanë, i cili jeton jashtë vendit prej 20 vitesh. Ndërkohë për motrën u shpreh se është me fat që e ka pjesë të jetës së saj. Këngëtarja rrëfeu se marrëdhënien me babain dhe nënën nuk mundet që t’i ndajë, pasi të dy kanë rëndësi të madhe për të.

Një person tjetër shumë i dashur për Enedën është edhe halla e saj, të cilën kur e pa në foto, sytë iu mbushen sërish me lot. “Kam një lidhje shumë të veçantë me të, na ka mbajtur gjithmonë si të na kishte fëmijët e vet, e dua si një nënë të dytë”, u shpreh ajo.

Këngëtarja është nënë e një vajze, e cila në muajin maj bën 8 vjeç. “Aria është e jashtëzakonshme,” tha Eneda. Ndërkohë rrëfeu se është një nënë e mirë, mundohet të jetë shoqe me vajzën e saj, por shpesh herë i duhet të bëjë edhe mamin autoritare. Këngëtarja tregoi se do t’i pëlqente që Aria të bëhej artiste, por pa ia imponuar. Ajo tha se vajza e saj ka një vesh shumë të mirë muzike, gjithashtu di t’i bjerë edhe pianos, por për të nuk ka rëndësi se çfarë ajo do të bëhet, do vetëm që Aria të jetë e lumtur. “Duhet të dojë veten se gjithçka fillon nga dashuria që ke për veten”, këshillë kjo që Eneda ia thotë gjithmonë vajzës së saj.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb