Eni Vasili, moderatorja e emisionit qëndror në News24, një ndër emrat më të njohur te ekranit shqiptar, është zgjedhur drejtoreshë e përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar me mandat 5 vjeçar.

Vendimi është marrë me shumicë votash gjatë votimit të dytë të bordit drejtues të RTSH-së, ku në garë ishin tre figura të njohura, Eni Vasili, Xhoi Jakaj dhe Engjëll Musai. Eni Vasili siguroi 3/5 e votave të nevojshme, duke u bërë kështu gruaja e parë që votohet në këtë detyrë në historinë e transmetuesit publik shqiptar.

Zgjedhja në krye të RTSH shënon një moment të rëndësishëm jo vetëm për karrierën e Eni Vasilit, por edhe për televizionin News24, ku ajo ka punuar për vite të tëra, televizion që vijon të jetë një nga shkollat prestigjioze e më të rëndësishme për figurat mediatike dhe profesionale në vend. Në këtë ekran janë formuar dhe afirmuar një sërë gazetarësh, analistësh dhe drejtuesish emisionesh që më pas kanë marrë role kyçe në median dhe komunikimin publik në Shqipëri.

Eni Vasili ka një karrierë të gjatë dhe të konsoliduar në gazetari, e njohur për stilin e saj serioz, profesional dhe të paanshëm në intervista dhe debate politike. Ajo ka drejtuar për vite emisionin politik “Open” në News24, i cili është kthyer në një nga platformat më të rëndësishme të debatit politik dhe shoqëror në vend.

Përgjatë punës së saj, Vasili ka intervistuar figura të rëndësishme të politikës shqiptare dhe ndërkombëtare, dhe ka fituar respektin e publikut. Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e shumë projekteve që lidhen me lirinë e medias dhe etikën profesionale.

Eni Vasili do të përcjellë profesionalizmin dhe përvojën e saj nga një media private si News24 në drejtimin e një institucioni me ndikim kombëtar.

Votimi ditën e enjte

Emrat dhe votat:

Eni Vasili – 5 Vota

Xhoi Jakaj  – 2 Vota

Engjëll Musai – 2 Vota

Ermal Hoxha – 1 Votë

Flamur Buçpapaj – 1 Votë

Votimi i ditës së premte 

Eni Vasili – 7 vota

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: