Vrasja e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, po përshkruhet nga ekspertë dhe ish-zyrtarë të inteligjencës si kulmi i dekadave të mbledhjes sistematike të informacionit nga shërbimet izraelite, me mbështetje teknologjike dhe operacionale nga agjenci amerikane, përfshirë CIA. Sipas zyrtarëve ushtarakë izraelitë, 86-vjeçari Khamenei u vra së bashku me shtatë anëtarë të “udhëheqjes së lartë iraniane të sigurisë”, që ndodheshin në pjesë të ndryshme të Tehran. Sulmet, sipas raportimeve të The Guardian, ndodhën pothuajse njëkohësisht, brenda 60 sekondave. Raportohet gjithashtu për rreth 40 zyrtarë të tjerë të lartë iranianë të vrarë.
Operacioni thuhet se shënoi nisjen e një fushate ajrore të ndërmarrë nga Izraeli dhe SHBA-të, me synimin për përmbysjen e regjimit teokratik në Teheran, duke e futur rajonin në një cikël të ri pasigurie.
Ish-shefi i inteligjencës ushtarake izraelite, Amos Yadlin, e cilësoi sulmin si një “surprizë taktike dhe operacionale”, pasi pritej që një veprim i tillë të ndodhte gjatë natës. Sipas raportimeve në The New York Times, CIA dyshohet se kishte siguruar informacion kyç për një takim të nivelit të lartë në zemër të Teheranit dhe kishte informuar palën izraelite për praninë e Khameneit dhe kohën e saktë të mbledhjes. Ish-oficeri i CIA-s, Reuel Marc Gerecht, theksoi se SHBA-të zotërojnë kapacitete të avancuara teknologjike, ndërsa Izraeli ka ndërtuar prej vitesh rrjete të thella agjentësh në terren.
Mossad është përqendruar në Iran prej dekadash, duke ndërtuar rrjete informatorësh dhe operativësh. Analisti izraelit Yossi Melman tha se strategjia e agjencisë kishte ndryshuar rreth 20 vite më parë, duke rekrutuar agjentë vendas në Iran dhe duke i pajisur me teknologji të përparuar. Kreu aktual i Mossadit, David Barnea, thuhet se ka krijuar një departament të posaçëm për operacione të ndjeshme në Lindjen e Mesme. Ndërkohë, ish-shefi i antiterrorizmit të Mossadit, Oded Ailam, deklaroi se operacioni 60-sekondësh ishte rezultat i viteve përgatitjesh. “Fusha moderne e betejës përcaktohet nga të dhënat, qasja, besimi dhe koha. Një minutë mund të ndryshojë një rajon të tërë”, tha ai.
Sipas raportimeve, vendimi për eliminimin e Khameneit ishte shqyrtuar edhe më herët, por Donald Trump kishte shfaqur rezerva për shkak të frikës nga përshkallëzimi rajonal. Megjithatë, disa ekspertë paralajmërojnë se eliminimi i një lideri nuk garanton zgjidhje afatgjatë. Yossi Melman theksoi se udhëheqësit zëvendësohen, ndërsa një veteran i CIA-s e cilësoi vrasjen si “gabim strategjik”. Pyetja që mbetet është nëse eliminimi i udhëheqësit suprem do të përshpejtojë dobësimin e regjimit iranian apo do të hapë rrugën për zhvillime edhe më radikale në një Lindje të Mesme tashmë të brishtë.
