Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, depozitoi sot në Kuvend amendamentet për projektligjin “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, një akt që sipas tij ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi ekonominë, konkurrencën dhe klimën e biznesit në vend. Bozdo kujtoi se projektligji u diskutua një ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë, ku vërejtjet e opozitës u refuzuan plotësisht nga mazhoranca.
Amendamentet e propozuara kanë për qëllim rritjen e transparencës dhe shmangien e abuzimeve me fondet publike. Bozdo kërkon që analizat e tipit “Vlerë për Para”, një mekanizëm kyç që vlerëson nëse një projekt duhet të jepet apo jo me koncension, të bëhen pjesë e detyrueshme e procesit dhe të jenë publike. Ai propozon gjithashtu ndalimin e koncesioneve dhe PPP-ve që vijnë si kërkesë e pakërkuar nga sektori privat, një procedurë që shpesh është kritikuar për favorizime dhe mungesë gare të ndershme.
Deputeti kërkon po ashtu rritjen e transparencës ndaj publikut përmes konsultimit të detyrueshëm dhe publikimit të plotë të kontratave, akteve dhe anekseve, në mënyrë që çdo qytetar të njihet me mënyrën se si përdoren paratë publike. Ai theksoi se paketa përfshin edhe dispozita që synojnë forcimin e llogaridhënies së zyrtarëve dhe kufizimin e hapësirave për korrupsion. Bozdo deklaroi se këto ndryshime janë të nevojshme për të garantuar një qeverisje të përgjegjshme dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në mënyrën se si menaxhohen projektet publike.
REAGIMI
Sot depozitova në Kuvend, amendimet për projektligjin “Për Koncensionet dhe Partneritetin Publik Privat”, i cili është një ndër aktet më të rëndësishme për sektorin ekonomik, konkurrencën dhe klimën e biznesit në vend.
Projektligji u diskutua dje në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave, ku vërejtjet dhe propozimet e Opozitës u refuzuan tërësisht!
Amendimet synojnë:
1. Të vendosin analizën “Vlerë për Para” (Value for Money), një koncept kryesor ky i analizës për dhënien apo jo të Koncensionit/PPP, si një mekanizëm i cili përcakton me transparencë dhe nuk mund të ndikohet dhe as korruptohet, si dhe detyrimin që ky studim të jetë publik;
2. Ndalimin e Koncensioneve/PPP që vijnë si kërkesë e pa kërkuar, nga sektori privat;
3. Rritjen e trasparencës kundrejt publikut në detyrimin për konsultim public të detyrueshëm si dhe publikimin e plotë të akteve, kontratave, anekseve të tyre, më qëllim që cdo individ të njihet për mënyrën e përdorimit të parave publike;
4. Dhe një sërë dispozitash të tjera që rrisin trasparencën, luftojnë korrupsionin dhe e bëjnë llogaridhënien e zyrtarëve të detyrueshme
