Gazetari i News24, Enrik Mehmeti, rrëfen në emisionin “Ora Verore” eksperiencat e gazetarisë në fillimet e karrierës. Mehmeti zbulon se ka filluar angazhimin në gazetari, në moshën 11 vjeçare në kampin Alba, në vitin 1997.

Ai thotë se përkthente në kampin “Alba” mes të plagosurve që vinin në bazën e ngritur pranë ish shkollës së Aviacionit. Gazetari pohon se ka pësuar traumë, nga pamjet e të plagosurve dhe rrëfimet e tyre.

Enrik Mehmeti: Fillova të përktheja ngjarje të ndryshme. 11 vjeç kam parë shumë të plagosur. Është disi shokuese, pasi tani vuaj pasojat nga ato përjetimet. Tani nuk më bën asgjë përshtypje, qoftë aksident, qoftë kufomë. Në ato kohë ishte shumë shokuese për mua. Kam ndenjur me netë të tëra pa gjumë. Mbaj mend, pyesja një vajzë të vogël të plagosur se ku i kishte dhimbjet, ndërkohë kishte marrë plumba në këmbë dhe në krahë.

Rrëfime nga ’97: Enrik Mehmeti: Do ta kisha plumbin në kokë, nëse …

Enrik Mehmeti, gazetari i News24 zbulon në “Ora Verore” historinë se si ka shpëtuar nga vdekja në vitin e trazirave të 1997-ës.

“Hera e parë që kam shpëtuar nga vdekja ka qenë në moshën 11 vjeçare. Duke u kthyer në shtëpi dëgjova sirenën, por nuk u ndala, sepse isha duke mbajtur ujë në duar, pasi atë kohë uji ishte me orare. Po çoja dy koli ujë, nga pjesa ushtarake në shtëpi. Në atë moment fillon shiu i plumbave, ndërkohë unë duke ecur me bidonat në duar më bie ora në tokë. Ulem për ta marrë orën dhe dëgjoj zhurmën e plumbit që kalon shumë afër meje. Nëse do isha në këmbë, ndoshta do ta kisha në kokë plumbin. Menjëherë u futa poshtë një automjeti, për tu ruajtur dhe dëgjoja plumbat”

Enrik Mehmeti: Intervista ime e parë ke qenë me një vrasës direkt pas krimit

Gazetaria e terrenit është një mision që ka të bukurat dhe sfidat e veta. Por kur bëhet me pasion, vështirësitë dhe pengesat harrohen shpejt. Gazetari i News 24, nga Vlora tregon në emisionin “Ora Verore”eksperiencën e tij me intervistën e parë që ka bërë si gazetar.

Enrik Mehmeti: Intervistën time të parë si gazetar e kam bërë me një vrasës. Ka qenë ekskluzive. Ishe një djalë që kishte vrarë të afërmin e tij, sepse me lekët që i kishte marrë kishe blerë makinë, që të shkonte në mbrëmjen e maturës. Unë i kam marrë intervistë brenda në makinë, në momentin që sapo e kishte shoqëruar policia . Ajo intervistë bëri bujë.

Raportoi live grabitjen e argjendarisë në Vlorë, gazetari: Më drejtuan armën

Enrik Mehmeti, gazetari që ka denoncuar dhe njëkohësisht raportuar drejtpërdrejt grabitjen e një argjendarie në qytetin e Vlorës rrëfen në emisionin “Ora Verore” aventurën e raportimit të pazakontë.

Enrik Mehmeti: Është veprim momental. Bëra dhe lajmin dhe detyrën si qytetar. Në fillim mendova se ishin dy grabitës. Në fakt kishte qenë vetëm një. Pashë një njeri të shtrirë dhe një tjetër, që i ishte hedhur përsipër dhe pash dhe një njeri tjetër që po mblidhte, i cili herë pas here drejtonte armën te shitësja. Unë në atë moment isha me familjen në rrugë. Megjithatë me njërin telefon bëja regjistrimin e videos dhe nga ana tjetër bëja raportimin live. Shkova shumë afër, mund ta bëja dhe nga larg.
Grabitësi u çorodit në atë moment. Sa del nga dera më drejton armën mua dhe unë shkoj nga drejtimi që nuk kishte njerëz. Në mënyrë që nëse qëllonte, mos kapte plumbi as familjen time, e as kalimtarët. Pastaj në momentin, që ai largohet unë e ndjek nga mbrapa për të parë se çfarë ndodhe më atë. Ai mbante në duar një superarmë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb