Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtrarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën,  e deri te “Dallandyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.

Dokumenti sekret me informacionin për përgjimin e bisedës së Gjet Kadelit, me bashkëpunëtorin e Sigurimit të Shtetit, sipas miratimit të kryetarit të Degës së Brendshme të Krujës, Dhosi Pecani

REPUBLIKA POPULLORE SHQIPËRISË                                          “SEKRET”

MINISTRIA PUNËVE TË BRENDSHME

DEGA P. BRENDSHME TË RRETHIT

              KRYETARI DEGËS P. BRENDSHME

                  (Dhosi Pecani)

LEGJENDA:

O – Objekti

B – B.p.

                      Datë 20/6/1972

                     Kontrollon S. Resulaj

                                                      I N F O R M A C I O N

Kontrolli filloi në orën 9, datë 20/6/1972 dhe mbaroi ora 12 datë 20/6/1972.

Pasi kanë ardhur bashkë në vendin ku është vendosur kamuflazhi, zhvillohet kjo bisedë, midis objektit dhe bashkëpunëtorit, të cilën po e japim si më poshtë: B: -Edhe këtu te ne mobilizim të madh ka.

O: – Këtu te ne janë dy forca, forca ekonomike dhe forca e diktaturës së proletariatit, e dyta diktatura e proletariatit, ka të bëjë me ndërgjegjen se, nuk mund të thuash se jam i ndërgjegjshëm ———(nuk dëgjohet ka zhurmë), ndërsa forca e dytë, ajo ekonomisë si shtet, derdhet në shërbim të Ministrisë Mbrojtjes e Ministrisë së P. Brendshme, kështu oficer, del nga Shkolla e Bashkuar dhe merr 1.000 lek. Kështu, që ai e ka blerë më parë këtë, e din mirë Enver Hoxha. Neve kemi forcën, se ne jemi popull i vogël, por ama kemi forcën për peshën që kemi, se ti, nuk ke forcë me u rrok me kalin, se sa do i vogël me qenë kali, kali është kalë, kafsha është kafshë se, një viç motak, peshon 100 e ca kg. peshë, ndërsa ti, 30 vjeç, peshon 60 kg., atëhere si ka mundësi ti, ta barazosh atë, ndërsa forca mendore, është tjetër me forcën fizike, ti p.sh., je shumë i aftë, shumë i fortë shumë i vendosur por, kur nuk kemi miq s’ke asgjë. Mirëpo këta, kanë krijuar dhe agjenturë, ai që është thirr si mik, ky këtë e ka konsideruar gjithmonë si armik, pa ditë gjë dhe ke zbuluar gjithë veprimtarinë e tij dhe e ka kontrolluar gjithnjë, si një armik të rrezikshëm, kjo është vetëmbrojtje e, çfarë të të them unë ty më, për lëvdatën personale. Po qe puna e lëvdatës personale, le të ma mbajnë në lule të ballit dhe të më regjistrojnë kur të duan, po qe puna për lëvdatën personale, unë pse do them që, të vijë këtu Josif B. Tito, unë them që të vijë babai im, unë më të afërt se babën tim, nuk kam kurrkënd, me qenë se na lidh dhe garancia politike.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

B: – Enverin, Enveri është i zoti shumë, por pak del në rrethe.

O: – Parvjet, kam qenë në Mirditë, Kukës, vjet ja ka mbajtur këtej nga ana e Jugut, Gjirokastër, Korçë e tjera. Mua të më kishin mbajtur, për të zgjidhur probleme.

B: – Si

O: – P.sh., e di si u kam thënë unë ca kushërinjve, me punuar juve dhe me më mbajtur mua, me u zgjidh juve ngatërresat.

B: – Po për çfarë ngatërrese?!

O: – Të çdo problemi, në qoftë se do të çohet një njeri, për një çështje konkrete.

B: – Një fjalë tënde e mbaj mend mirë, në bisedë me dy vetë, këta u besojnë atyre.

O: – Ndërsa për një, kur të dojë le të dalë, e ne për zotin, si kur të më thonë se, ke biseduar me njërin, dhe sikur unë ta kem biseduar këtë gjë, unë do të them që, nuk kam biseduar, duke thënë se këto, janë fjalë boshe edhe me më varr nuk them gjë, për zotin jo ore, qeveria e fortë të ka në dorë, qoftë kur ke bërë gjë, qoftë kur s’ke bërë gjë, me dashtë qeveria të vret, të vret dhe llogari nuk mund t’i kërkosh, për zotin jo.

B: – Nuk e ke provuar shumë burgun

O: – Burri vendos.

B: – Ajo vendosmëria dhe ajo është burrni.

O: – Unë vendosa i qes bo…, krup njërën e, krup tjetrën dhe për të vdek nuk vdes, vetëm morali e mban njeriun, njeriu që është i lëkundshëm, nuk ka moral, morali nuk është me e shit, morali është kur je i ndershëm besnik, nisesh për së mbrapshti, por kësaj ama, i kanë rënë me ndershmërinë më të madhe, autoritetet kur e shohin se je i vendosur, mbajnë një qëndrim tjetër, me gjithë mend të urrejnë se, s’munden me të bërë për vete, në njërën anë, kurse në anën tjetër, p.sh., gjatë Luftës njerëzit, kanë bërë edhe më keq, pikërisht kanë qenë kriminale dhe e shanin atij që, tëmën, për të vrarë e vramë, por trim kish qenë, të urren se, nuk mund të bëjë për vete, të komprometonte, je kundërshtar i tij, por zotësia të humbi, se deri sa u zhduke, të humbi, por këtu del se, mos me të humb zotësia, duke u mbështet në aftësitë e moralit, për të mos rënë në dorë, vendosa për sot që, do të vdesim dhe u lamë. Burri nuk bën poshtërsi më, për të shpëtuar veten, duhet të luash shumë një rol, në qoftë se bie rasti, duhet të luash shumë role, por jo role të poshtërme, me e marr në qafë atë tjetrin, nuk mund të marr në qafë atë që e kam kundërshtar, dhe është munduar me më ngrënë në besë, dhe atë për shpirt, me më ardhë në shteg, i pres qafën, duke e ditur se ti je t’u më vënë thikën, dhe me ardhë në shteg, dhe mos me të pre, jo or ti.

B: – Po me mujt me të rënë në dorë, e luajmë.

O: – Ai që don me më ther, për zotin po, or ti, ai që don me më vënë thikën.

B: – Kur ke një rast p.sh., ke fol me mua ose, me një tjetër dhe s’di gjë deri më sot se, këtë muhabet, ta kesh thënë sikur se muhabeti tjetër, p.sh.

O: – Vetëm një gjë të kesh të qartë se, për jetën teme, “Komandant të q… të tëmën, këtu jemi, presim për punë, se mbaroj mbledhjen komandanti”, këtu objekti, i flet një oficeri të brigadës.

O: – Këto muhabete, që kemi bërë bashkë, mos ke biseduar me njeri tjetër?!

B: – Unë, në asnjë mënyrë, jo për jetën teme, ta di se më vënë kolonel.

O: – Mua për zotin, nuk më bëhet vonë

B: – Bash kolonel me më bë.

O: – Nesër, me bë një punë kriminale të kundra ligjshme, për zotin, këtë gjë s’ka kush me e dit, përveç meje, more vesh, kjo ka vdek, sado shokë të jen, t’u besue s’jam.

B: – Këtë po ta them vetëm unë, s’them për ty, një muhabet që di për vete, pse me ma thënë, Dedës, për atë bisedën, tek Klubi i Gjahut, i ke thënë gjë.

O: – Deda prej meje, nuk din gjë, prej meje, ka ditë vetëm Nikoll Lala, pasi ja kam bërë, më ka pas thënë përpara, e dit gjë nuk ka, pasi erdhi muhabeti, më tha aman aman, më bëj be, për këtë muhabet, e din unë ti dhe Nikoll Lala, tjetër njeri, për këtë çështje, nuk ka ditë, këtë e dinë mirë Ndue Kaçori, të them s’ka dhe Nikoll Lala, me siguri s’ka, atëhere si doli ky muhabet, d.m.th., unë dyshoj rreth ditës që doli muhabeti, kështu që detyrimisht, më jep me kuptue mua që, unë ti vë detyrë vetes që, edhe për njerëzit që njoh unë, as me Palin e, as me Dedën.

B: – Ti ke dyshime tek mua.

O: – Po nga doli.

B: – Ballafaqohemi me Dedën.

O: – Për emër të zotit, unë atë kam qejf.

B: – Në rast se, i kam thënë unë Dedë Kaçorit, që fishekët t’i ka bërë Gjeta, Nikoll Lalës, ai nuk më tha që më ka thënë Pali, më tha kështu gjatë bisedës, më tha Pali se, a ja bëri Gjeta ato Ndojt, se çfarë kish me atë, unë nuk e dija.

B: – Këto janë gjëra që zgjidhen se, nuk kam folur poshtë e lartë, unë kam borxh të ballafaqohem me Dedën, në rast se unë i kam thënë se, ja ke bërë ato fishekët Gjeta, Ndojt, termal e te poshtë, atëhere jam unë burrë i lig, para teje.

O: – Në të gjithë botën, njerëzit që flasin nuk bëjnë gjë.

B: – Për se e ke muhabetin?

O: – Për rrymë politike që, flasin me gojë, por që këto nuk i shoqërojnë me aktivitete, nuk i dënojnë, ndërsa këtu te neve, të rrjepin në lëkurë, si bëre punën, si dhe fjalën, këta të presin.

B: – Ndonjëherë ata që thonë fjalën, bëjnë edhe punën.

O: – Këtu ka ndryshim fjala, nga puna.

B: – Po Ndojit, çfarë i rregullove ti?

O: – Fishekët.

B: – Ti the që fishekët i rregullove Nikollës?

O: – Nikollës i thashë që rregullova dy fishekë.

B: – Po Nikolla, çfarë revole ka?

O: – “Beret”

B: – Pse ka “Beret”?

O: ————-( Nuk dëgjohet ka zhurma)

O: – Janë shumë persona që, merren me thashetheme dhe këta të marrin në qafë, po ashtu edhe këtë të marrin në qafë se, i marrin  për bazë për arsye se, me qenë puna me dal pak realiteti, ashtu siç thotë ndërgjegjja, thonë se po mos të mbajmë ne shënime këtë, do të vijë personi dhe do të thotë se, këtë gjë e kam denoncuar, ama, kanë marr për bazë fjalën dhe e mbajnë vetëm për të mbrojtur bythën e vet, për t’u mbrojtur nga ai që nesër, mund të thotë që, unë besa u kam thënë për këtë gjë por, nuk ma kanë marrë për bazë, me qenë puna që me u bë e vërtetë, kjo punë për lavdi personale dhe këta, e mbajnë se ka denoncuar filanin dhe këta t’i llogarisin të gjitha, ku ha, ku pi, me kë merret, çfarë aktiviteti ka zhvilluar etj. Sa më shumë të flasin njerëzit, duke të reklamuar aftësitë e tua, p.sh., të gjithë personat që janë të aftë, pak a shumë, ata kontrollohen më shumë, të ka rënë rasti p.sh., kur thua është i varfër i shkreti, ai është më i rrezikshëm dhe është forma e tijë që luan, ka dhe njerëz që të lenë përshtypjen e fukarasë, ase i thua mirëmëngjesi, a si je, ase si i ke robt, makar qoftë edhe tip evgjiti, si kur e dëgjon zërin, si kthehet kështu sikur fukarallëku me bri, kur e sheh të pikëllueshëm, thua ahë i shkreti, kur e sheh të gëzuar, thua a çfarë karagjozi, kjo është forma e përbindëshit, përbindëshi është një egërsirë e pa njoftur, vetëm se është pagëzuar emri përbindësh, dhe mbrojtja nga ky përbindësh, është gjetur vetëm nga rrezet radio-aktive që, të shkrijnë, përbindëshi është më i fortë se njeriu, pra te njerëzit, është ndjenja si të thuash, e urrejtjes së njeriut për njerinë dhe del në skenë që, kur më urren, nuk më don tjetër rrugë, nuk ka kur më urren, nuk më don, por ama me të gjetë rrugë, të më ha, më urren njeriu njerinë, kjo është e tmerrshme, nga kjo urrejtje, del në pah forma e përbindëshit, po ashtu krokodili, është një kafshë që del në brigjet e Afrikës dhe del në brigjet detrave dhe oqeaneve dhe qan si fëmijë, dhe ja si bën kur i qasen njerëzit, për të shpëtuar fëmijën dhe kur e sheh që i afrohen njerëzit, u lëshohet në shpinë dhe e merr në mënyrë të tmerrshme dhe e ha, kjo  është formë për t’i mashtruar njerëzit, po kjo ndodh edhe në shoqëri.

Siç ka qenë përpara që thoshin tipare burrnore, sot ka vend poshtërsia, burrnia nuk ka vend.

B: – Për ne, çfarë flet.

O: – Për ne të gjithë format, pra në qoftë se je trim ti, mund të jesh me këdo, të është bërë mani që, ta zbulosh diçka dhe të mos ta konservosh, konservimi do të thotë, mos ta qesësh, ndërsa ty të është bërë mani që ta zbulosh dhe ta denoncosh, d.m.th., në qoftë se je në këtë rrugë, mund të bësh çdo poshtërsi.

B: – Si formë sëmundlleku

O: – Ja p.sh., unë jam me detyrë shtetërore, të kam kompromentuar ty.

B: – Çdo të thotë komprometim?

O: – Komprometim, të kam bërë për vete d.m.th., që çfarë të shohësh, çfarë të dish, të më thuash mua…?!

B: – Në mes të detyrës.

O: – Pra, ke krijuar një konsideratë te mua që, unë jam dashamirësi jot dhe ti, i jemi, dhe kush është marrë me njerëz me detyra me poste, bukën ua ka dhënë vet, bukën e tij, ndërsa p… e kanë marrë ata dhe nesër, me i ra puna me u hedh në zjarr, ai ty do të hedhë të parin, këto nuk janë gjëra me të mbush mendjen ty, por janë gjëra të vërtetuara. More, po bëjmë muhabete shumë këtu, thua të na kenë vënë ndonjë magnetofon.

B: – Jo ore.

O: – Po mund ta venë, ku të duan dhe në xhaketë këta, shkenca e njeh këtë gjë, deri sa e njeh shkenca, asgjë nuk ka të pa mundshme. Për zotin, bën vaki ta lidhin edhe në këmbë të zogut.

B: – Po mire, krejt bisedën mund ta marrin?!

O: – Ohu, a ke vënë re kur flet Enver Hoxha, biseda e tij incizohet se, ka magnetofon ai atje dhe mbas bisedës, bëhet zmadhimi me aparate.

(Midis objektit dhe bashkëpunëtorit, bëhet një bisedë e shkurtër, për emrat e kalamajve të tyre. Më poshtë vazhdon).

O: – Ligjet e shtetit, janë ligje, ato veprojnë që nga mosha 16 vjeç e lart, ka votuar për të, mos vepro kundër këtij ligji se, ke vepruar kundër vet-vetes. Gjithsekush, punon në një vend pune, dikush në një ndërmarrje tjetër, në kooperativë dhe muajsh me i rezistuar kësaj torture ekonomike, mirë se mirë, në rast se thyen ligjin, ai që thyen ligjin, ka hekurat në duar, deri sa ti dhembi në bark, ka vdek kjo. Anëtari i frontit, ka disa kondita të tjera me anëtarin e kooperativës. Anëtari i frontit, i paguhet raporti etj., anëtarit të kooperativës, ka favorizime të tjera, se ka dylymshin edhe lopën, këto të dyja janë garancia e fatkeqësisë. D.m.th., për anëtarin e frontit, bashkimet profesionale, për garancinë e fatkeqësisë? Në qoftë se, i ndodh një fatkeqësi fshatarit, shkon e bën hyzmet lopës, ndërsa punëtori, shkon e ankohet te kryetari i Bashkimeve Profesionale.

More shok, a të q… nënën, burrat e dheut, kanë ardhë me punue dhe në punë, apo na e fusin?!

B: – Nga je t’u shkue ore?

O: – Jo ore, kam ardhur me punue.

B: – A je t’u shkue me i thanë një here, apo jo?

O: – I shërbejmë Republikës Popullore të Shqipërisë. /Memorie.al

ASISTUESI NË KOMBINACION                                              DESHIFROI

Harilla Kolam Thanas Toto                                              P.Op T.O. Sami Resulaj

                                                    Vijon numrin e ardhshëm

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: