Gazetari i njohur Alfred Peza i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 foli për librin e tij më të fundit “Enveriada” një triller historik që sjell në letërsi pas 50 vitesh Enver Hoxhën.

Ndërsa në libër ka shumë personazhe të trilluara prej tij, pjesa më afër reales mbetet “fiksimi” që paraardhësi, pra Enver Hoxha kishte për të lexuar letrat nga populli.

Peza sjell fakte dhe dëshmi dhe sqaron se arsyeja pse i lexonte e ju përgjigjej këtyre letrave ishte për t’i krijuar njerëzve iluzionin se ata ishin bashkëudhëheqës të këtij pushteti.

Ky, sipas Pezës, ishte gjithë mekanizmi diabolik që kishte krijuar e që i bënte njerëzit të shkruanin sa më shumë.

Përballë moderatores Nisida Tufa, Peza tha se përmes këtij libri ka dashur të bëjë skanerin e regjimit komunist, për ta nxjerrë zbuluar, ndryshe nga sa ëndërruan njerëzit e asaj kohe që i besuan.

“Enveriada” pse një zgjedhje e tillë? Vjen pas 50 vitesh në letërsi një libër për Hoxhën…
Alfred Peza: Kam vendosur që herët të shkruaj një triologji, triller politik për të rrëfyer Shqipërinë time përmes letërsisë, një Shqipëri përmes tre etapave kryesore që përbëhet nga periudha Mbretërisë, Komunizmit dhe demokracisë. Ky është romani i dytë dhe i kushtohet asaj epoke ku përmes letërsisë mundohem të bëj skanerin e regjimit komunist, për të parë përmes syve të shkrimtarit një sistem diktatorial. Si funksionon ai jo vetëm në vendin tonë, por në përgjithësi të gjitha diktaturat kanë për qëllim manipulimin e mendjeve njerëzore dhe qëllimin e përbashkët për pushtetin e përjetshem.

Pse tani ky libër?
Alfred Peza: Shfrytëzova periudhën e pandemisë. Pata lexuar shumë letërsi pandemike dhe histori, e dija që do zgjasnim. Mendova që brenda periudhës që do e kalonim këtë vështirësi do më mjaftonte për tu fokusuar plotësisht mbi librin tim. Materialet i kisha gati i kisha grumbulluar në dosje skeda e shënime letrare. Po prisja vetëm të ulesha. Marsi, me fillimin e mbylljes nisa të shkruaja.

Çfarë do të thotë kjo foto e 10 viteve më parë që keni me Kadarenë?
Alfred Peza: Me fat që e kam këtë foto të 10 viteve më parë. Besoj që zbulon dy shkrimtarë të dy brezave të ndryshëm që kanë sjellë figurën e Enver Hoxhës në roman. Ismail Kadare 50 vite më parë në 1971 shkroi librin “Dimri i Vetmisë së Madhe” që u botua në vitin ‘73 që pat fatin e keq dhe të mirë. I miri ishte se që brenda ditës shiti 25 mijë kopje dhe fati i keq ishte se të nesërmen u ndalua për tu ribotuar pas shumë vitesh me të gjitha peripecitë që dihen në versionin “Dimri i Madh”. Në atë kohë ai ishte gjallë, sot kur unë shkruaj ai ka vdekur.

Tek Enveriada, flitet për paraardhësin, pasardhësin dhe udhëheqësin e ri dhe që kuptohet se janë Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia, përse i ke emërtuar kështu?
Alfred Peza: Kjo është një zgjedhje e bërë me koshiencë. Trilleri im letrar në atë laboratorin tim modest të krijimtarisë artistike mendova ta bëj edhe lexuesin, bashkautor të librit tim në një lojë ku gjithkush i vendos këtyre personazheve emrin që do, sepse shkrimtari mendon që letërsia e tij mund t’i kalojë kufijtë një ditë, mund të mos lexohet vetëm nga shqiptarët apo në Shqipëri, por kudo në botë, Koreanoveriorët mund ta përshtasin me personazhet e tyre, rusët apo kinezët mund ta lexojnë sipas liderit të tyre, por jo vetëm në komunizëm. Edhe në Amerikë po të lexohet dikush mund të gjejë tek një personazh Donald Trump. Është një lojë artistike, mendoj që është diçka e gjetur në këtë sens përderisa kam arritur atë ngacmimin e lexuesit. Në të gjithë historinë e njerëzimit të gjitha diktaturat kanë pasur gjithmonë një lojë mes tre personazheve kryesore të pushtetit në lojë është gjithnjë një paraardhës, ai që gjithkush e di që do jetë pasardhësi absolut dhe në fund del gjithmonë në skenë një personazh i ri.

Libri ka edhe një shefe…kushdo që e lexon e kupton se bëhet fjalë për Nexhmije Hoxhën…
Alfred Peza: Në Shqipëri po, flitet për një shefe e vetmja që i fliste me emër udhëheqësit të ri. Mund të them një kuriozitet për të?
Besoj që ma ka taksur këtë libër, sepse në librin e fundit para se të ikte nga kjo jetë ka lënë një libër voluminoz prej 500 faqesh përmend momentin e daljes nga burgu. Unë atëherë kam qenë gazetar i ri i kronikës, pasionant që mbuloja çështjen e burgjeve dhe të ish-bllokmenëve që u dënuan atë kohë. I propozova të bënim një libër, kisha një skemë për 100 pyetje dhe 100 përgjigje, mu refuzua. Aty e thotë me pak ironi dhe ndoshta është rasti për t’ja rikthyer.

Pjesa misterioze e librit mund të konsiderohet “Syri i shqiponjës”, qendra sekrete siç e përshkruani ju, por çfarë gatuhej aty?
Alfred Peza: Aty gatuhej ajo se çfarë do të vinte në të ardhmen për shqiptarët për planetin e Enveriadës. Nuk ishte thjesht një qendër sekrete ku vetëm përgjohen njerëz. Aty përgatiteshin recetat për të ardhmen, aty algoritmi i pushtetit punonte në një mënyrë të tillë që përjetësia e pushtetit të diktatorit dhe diktaturës të jetë e paraprirë dhe asgjë të mos ndodhte rastësisht sepse është një shprehje që thuhet në politikë, asgjë rastësisht. Ajo qendër sekrete gjykoj, por ka edhe të tjerë në pika kyçe të sistemit që më kanë konfirmuar se ajo qendër ka ekzistuar edhe de facto. Unë thjesht nuk e kam ditur, kam bërë diçka prej shkrimtari, kam menduar se pas gjithë asaj fuqie, atij pushteti të pakontestuar, pas gjithë atij miti për udhëheqësin që në atë kohë ishte Zot, i pazëvendsueshëm, ku çdo shqiptar ëndërronte vetëm t’i jepnin dorën pa le të ndodhte c’të ndodhte më pas, ka edhe detaje komike se kishte njerëz që për 2 apo 3 javë nuk e lanin dorën me të cilën i kishte prekur.

Libri nis me detaje të bukura, letra të popullit që paraardhësi ju kushtonte rëndësi, përmes tyre zbuloheshin gjëra të pazbulueshme. Pasardhësi nuk i konsideroi. A ka qënë Hoxha vërtet i fiksuar pas letrave? Është ky trill apo e vërtetë?
Alfred Peza: Kjo është e vërtetë. Në Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë ka ekzistuar një sektor i tërë për letrat nga populli. Skema e përshkruar në roman ishte aq artistike edhe në realitet sa nuk kishte nevojë ta shpike, por thjesht ta vendosje në kontekstin e duhur për mesazhin letrar që unë përcjell. Jo vetëm që ka ekzistuar ai sektor, por e vërtetë është edhe pjesa që ditarët e sekretarit personal të Enver Hoxhës, në realitet Haxhi Kroi botimi i ditarëve të tij janë refuzuar nga shefja pikërisht për këtë se e kishte vizatuar paraardhësin siç ishte jo ashtu siç i imponohej popullit, si njeri të pagabueshëm pa të meta që punonte natë e ditë për ta bërë gjithë botën si Shqipëria, them unë dhe kjo është e vërtetë. Në 365 ditë ai shkonte në zyrë 100 ditë dhe në ato orë merrej vetëm me letrat e popullit, përmes shënimeve që linte, përgjigjeve që kthente donte të krijonte idenë se ata ishin bashkëdrejtues të këtij pushteti. Kjo ishte gjithë mekanizmi diabolik që duke e marrë si të vërtetë nxitonin kush e kush mund të shkruante më parë dhe besoj këtu ishte edhe kurthi i madh.

Pjesë e librit është edhe romanca, një histori e jashtëzakonshme dashurie, a është e bazuar në të vërtetë?
Alfred Peza: Është një mozaik grimcash të vërteta historish dashurie të ndërprera në mes në komunizëm. Është epoka ku dashuria si nocion, në raportet mes të rinjve në çift flas, pastaj në fejesa dhe martesa filloi shumë vonë. Në ‘67 paraardhësi ka mbajtur një fjalim për të djegur me zjarr dhe hekur zakonet prapnike, ku pas kësaj filluan nëpërmjet propagandës të vinin edhe personazhe që linin pas zakonet e maleve, shkonin në hekurudha, aksione, puna me tre turne, daja e gruas nga shtëpia, heqja e perçes dhe pengesave të tjera bënë që të ketë një evolucion por jo të gjitha përfunduan me fund të lumtur. Pavarësisht propagandës, filmave të “Kinostudjos Shqipëria e Re”, fjalimeve patetike realiteti gjithnjë ka qenë shumë më i egër se ajo që dukej e thuhej. Ky është një homazh për të gjitha historitë e dashurive të ndërprera në komunizëm dhe një homazh për brezin e xhirove të bulevardit e cila fitoi edhe statusin e institucionit më të rëndësishëm jopublik në jetën socialiste, një lloj vitrine e jashtëzakonshme njerëzore ku pasditeve kur fillonte binte dielli deri në mbrëmje vonë dilnin nëpër xhirot kur kanë lindur shumë dashuri, e tillë është edhe kjo histori. Është një moment për të gjithë ata që e kanë jetuar dhe lexuar, besoj se kam arritur t’i ngacmoj pak në kujtimet e tyre, por edhe të rikthej një element të jetës së asaj periudhë që do na mungojë përgjithmonë.

Shefi i Syrit të Shqiponjës, Besim K. çfarë personifikon?
Alfred Peza: Është triller i pastër. Është personazh i krijuar 100% nga hiçi në kuptimin e raportit me një personazh të vërtetë, personazh pa të cilin boshti i romanit nuk qëndron në këmbë, sepse të gjitha regjimet totalitare për të arritur të kenë pushtet absolut bashkë me pjesëmarrjen dhe manipulimin e turmave duhen patjetër që në krye të saj, jo vetëm në pikëpamje të vrazhdë dhe artistike që dikush qëndron gjithkush atje në majë. Materializimi i asaj që ndodh në të gjitha regjimet totalitare sot mund ta quajë ‘big brother’ që i shihte të gjithë i vëzhgonte e mbante të gjithë nën kontroll. Mendoj që nuk ka ndryshuar shumë nga ajo periudhë deri më sot, po të shikoni si i ka manipuluar Hitleri turmat, ai s’do ishte bërë ai që u bë pa manipulimin e gjermanëve, e njëjta gjë Hoxha me shqiptarët, apo rusët me Stalinin. Pa pjesëmarrjen dhe mbështetjen popullore askush nuk mund ta mbajë pushtetin. Kam menduar që pas këtij regjimi qëndron një dorë që lëviz fijet e padukshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb