Vaclav Havel thoshte: “Më i rrezikshëm se komunisti është komunisti i konvertuar në antikomunist.” Kjo fjali duket e shkruar fiks për tranzicionin shqiptar, për ata që ndryshuan ngjyrën e palltos, por ruajtën të njëjtën mendësi.

20 Shkurti ka një domethënie shumë simbolike që lidhet me rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës, i cili ishte një akt çlirimi fizik. Por mendësia? Ajo nuk u rrëzua kurrë plotësisht nga klasa politike.

Anti-Enveri më i zëshëm për vite ishte dhe mbetet Sali Berisha. Shumë e besuan, shumë e ndoqën, por koha tregoi se modeli i tij i udhëheqjes mbeti i ngjashëm me atë që pretendonte se luftonte: kontroll, përqendrim pushteti, përjashtime nga partia dhe konflikt i përhershëm. Tridhjetë e gjashtë vite në politikë nuk janë më tranzicion – janë sistem, dhe Berisha e konsolidoi këtë mënyrë të të qeverisurit në të djathtën shqiptare. Kur një lider nuk pranon të largohet, ai ngjitet në hijen e asaj që dikur pretendonte se luftonte.

E njëjta logjikë vlen edhe për Ilir Metën, i cili sot gjendet pas hekurave. Ai ka mbajtur pothuajse çdo post të rëndësishëm në shtet, por nuk ka zgjedhur kurrë të dalë nga skena edhe sot në qeli vazhdon me retorikën e vet politike.

Në politikën shqiptare, dorëheqja apo largimi nuk është akt kulture, është akt dobësie. Kjo është trashëgimi e drejtpërdrejtë e mentalitetit autoritar.

Edhe Edi Rama, me 13 vite në krye të qeverisë, ka ndërtuar një model ku pushteti personalizohet dhe centralizohet gjithnjë e më shumë. Një pushtet që nuk ka ligjimitet moral por tashmë ai e trajton dhe e shikon shtetin si pronë të veten dhe jo si mandat, ku ai mund të bëj çtë dojë.

Ne rrëzuam një shtatore, por nuk rrëzuam modelin.

Ndoshta drama jonë më e madhe nuk është se kemi pasur një Enver. Është se kemi prodhuar shumë “enverë” të vegjël, në të majtë e në të djathtë, që nuk dinë të largohen, nuk dinë të ndajnë pushtetin dhe nuk pranojnë moralin politik.

Tranzicioni mbaron ditën kur politika kupton se pushteti është i përkohshëm.

Deri atëherë, do të vazhdojmë të jetojmë me “Enverët tanë”. Historia do të vazhdojë të na pyesë: a e rrëzuam vërtet diktaturën, apo vetëm statujën?

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb