Policia e Kavajës ka njoftuar se vdekja e ish-ambasadorit gjerman në Tiranë, Werner Daum ishte natyrale. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, Daum u gjet pa shenja jete në një dhomë hoteli në bregdetin e Kavajës. Ai ndodhej në Shqipëri prej 3 ditësh.
“Rreth orës 12:30, në Golem, në një dhomë hoteli, është gjetur pa shenja jete shtetasi W. D, 82 vjeç (ish-ambasadori gjerman).
Nga këqyrja paraprake, nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, njofton policia.
Werner Daum erdhi në Shqipëri për të marrë pjesë në aktivitetin për inaugurimin e shtatores së dëshmorit parë të demokracisë, Josif Budo në qytetin e Kavajës. Në këtë aktivitet të zhvilluar ditën e enjte ai mbajti edhe një fjalim përshëndetës si dhe takoi të afërmit e familjarës e Budos.
Gjatë viteve 1987-1990, Werner Daum ishte ambasador në Tiranë dhe njihet për rolin e tij të veçantë, duke hapur dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët kundër urdhrave të qeverisë së tij, me bindjen se kjo do të ndihmonte në rrëzimin e regjimit komunist.
Bashkia e Kavajës i dorëzoi ish-ambasadorit “Certifikatën e Mirënjohjes” për kontributin e dhënë në ngjarjet e 2 korrikut 1990.
(BalkanWeb)
