Bashkëpunimi energjetik midis Turqisë dhe Azerbajxhanit jo vetëm që u sjell dobi të dy vendeve, por gjithashtu forcon sigurinë energjetike në të gjithë rajonin dhe Evropën, tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdoğan në një mesazh dërguar Javës së Energjisë në Baku të hënën.
Zhvillimet e fundit gjeopolitike globale kanë nënvizuar edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit Turqi-Azerbajxhan në sigurinë energjetike, tha Erdogan në mesazhin e tij, i cili u lexua nga Ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, gjatë Javës së Energjisë në Baku, që po zhvillohet në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.
“Ky bashkëpunim, i shënuar nga projekte kyçe infrastrukturore si tubacionet Baku-Tbilisi-Ceyhan dhe Kaukazi Jugor (i njohur edhe si tubacionet Baku-Tbilisi-Erzurum) dhe Tubacioni i Gazit Natyror Trans-Anatolian (TANAP), jo vetëm që i sjell dobi Turqisë dhe Azerbajxhanit, por gjithashtu vazhdon të forcojë sigurinë energjetike në rajon dhe në Evropë”, shtoi Erdogan.
Presidenti turk tha se tubacioni Igdir-Nakhçivan, i përuruar në mars, është shembulli më i fundit i bashkëpunimit të gjatë dhe të suksesshëm në fushën e energjisë midis dy vendeve.
“Hyrja në funksionim e tubacionit ka forcuar sigurinë e furnizimit me energji në rajonin e Nakhchivanit dhe na ka bërë më të fortë së bashku”, tha ai.
Erdogan shtoi se rritja e lidhjes së energjisë elektrike midis Turqisë dhe Azerbajxhanit është një tjetër projekt me rëndësi strategjike.
Duke vënë në dukje se kapacitetet e ndërlidhjes midis Turqisë dhe Nakhçivanit, si dhe midis Turqisë dhe Gjeorgjisë, gjithashtu duhet të rriten, Erdoğan tha: “Ne kemi nënshkruar një memorandum mirëkuptimi mbi bashkëpunimin për transmetimin dhe tregtinë e energjisë elektrike të gjelbër për të krijuar një linjë të re ndërlidhëse të energjisë elektrike midis Turqisë, Azerbajxhanit, Gjeorgjisë dhe Bullgarisë.”
“Ne synojmë ta përfundojmë këtë projekt, një hap tjetër historik për sigurinë energjetike dhe prosperitetin e rajonit tonë, sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.
Erdogan tha se ekziston një potencial i konsiderueshëm për projekte të reja të gazit natyror midis dy vendeve.
“Azerbajxhani, i cili prej kohësh ka furnizuar vëllime të konsiderueshme gazi si për Turqinë ashtu edhe për Evropën, luan një rol strategjik në tregun global të energjisë, një rol që është veçanërisht i rëndësishëm në kushtet aktuale”, shpjegoi ai.
“Në periudhën e ardhshme, kemi një mundësi të rëndësishme për të forcuar bashkëpunimin tonë në eksportin e gazit turkmen përmes Azerbajxhanit dhe Turqisë në një mënyrë që u sjell dobi të gjitha palëve”, tha ai. “Ky projekt do të ndihmojë në diversifikimin e rrugëve të furnizimit dhe do të kontribuojë në prosperitetin rajonal.”
(A.A/BalkanWeb)
