Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, foli në telefon me homologun e tij iranian, Masoud Pesekian , rreth tensionit në rritje pas lëshimit të raketës balistike nga Irani kundër Turqisë.

Gjatë bisedës telefonike, Pesekian propozoi krijimin e një ekipi të përbashkët hetimor për incidentin.

Sipas burimeve iraniane, “Pezheskian propozoi krijimin e një ekipi të përbashkët hetimor në lidhje me raketat balistike të lëshuara nga Irani dhe të neutralizuara në hapësirën ajrore turke”.

Gjatë një darke të shtruar nga Turqia për ambasadorët e huaj, përfshirë shtypin grek, Erdogan theksoi nevojën për t’i dhënë fund menjëherë luftës përpara se ajo të përhapet më tej në Lindjen e Mesme, duke përmendur tensionet me Iranin, viktimat civile dhe kërcënimet për stabilitetin rajonal.

Presidenti turk theksoi se Ankaraja po e monitoron nga afër situatën, i ka përcjellë paralajmërime të qarta palës iraniane dhe po bën çdo përpjekje për të ulur tensionet përmes dialogut.

“Paralelisht me sulmet me raketa dhe dronë nga Irani, tensioni u përshkallëzua dhe në një periudhë të shkurtër kohore arriti nivele që kërcënojnë stabilitetin e të gjithë rajonit”, tha presidenti turk, gjatë një darke iftari që shtroi për ambasadorët e huaj, përfshirë ambasadorin grek në Ankara, z. Theodoros Bizakis.

“Me hakmarrjet nga të dyja palët, shohim se si humbja e jetëve dhe shkatërrimi, ashtu edhe kostoja ekonomike e krizës po rriten në mënyrë asimetrike. Është fakt se, ndërsa lufta zgjatet, për fat të keq situata do të përkeqësohet. Në veçanti, kostoja e angazhimit në aventura të reja nuk do të paguhet vetëm nga palët ndërluftuese, por edhe nga i gjithë rajoni ynë, madje edhe nga e gjithë bota, përfshirë Evropën dhe Azinë”, theksoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb