Ndryshime të rëndësishme te Juventusi, teksa pas largimit të Andrea Agnellit, sot është zyrtarizuar si President i bardhezinjve, Gianluca Ferrero. Në fjalën e tij, Ferrero u shpreh se shoqëria do punojë fort për të ndërtuar një të ardhme të madhe të klubit.
“Ne do të punojmë për të ndërtuar një të ardhme për Juventusin, e denjë për të kaluarën e lavdishme 125-vjeçare, e cila e ka bërë këtë klub një lavdi sportive, klubin më të fortë në futbollin italian. Sot mora detyrën e presidentit të Juventusit me shumë emocion, por edhe me shumë krenari. Në daljen time të parë publike, një mendim falënderimi i fortë për presidentët që më paraprinë, me të cilët kalova edhe pjesë të jetës, në veçanti për Andrea Agnellin, i cili sot donte të më dhuronte këtë fanellë të bukur, të cilën shpresoj ta respektoj dhe ta nderoj ashtu siç e meriton, ndaj faleminderit Andrea” – tha ai. Pjesë e bordit, përveç Ferreros do të jetë Maurizio Scanavino që do të marrë postin e drejtorit menaxhues, Laura Cappiello, Diego Pistone dhe Fioranna Vittoria Negri.
(BalkanWeb)
