Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat e forta ndaj qeverisë gjatë fjalës së tij në tryezën e PD-së me partitë e opozitës, shoqërinë civile dhe intelektualët, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend të kapur nga kartelet e drogës dhe të shndërruar në një rrezik serioz ndërkombëtar.

Sipas Berishës, në kuadrin e klasifikimit të karteleve të drogës si organizata terroriste, Shqipëria mund të renditet e dyta pas Venezuelës ose në të njëjtin nivel me Kolumbinë. Ai deklaroi se kartelet shqiptare përcaktojnë sot çmimin e drogës në Evropë, duke theksuar se “aksionerët më të mëdhenj” të këtij trafiku, sipas tij, janë bashkëpunëtorë të kryeministrit Edi Rama dhe grupe kriminale të lidhura me qeverinë.

Berisha u shpreh se Diego Benitez, një trafikant që sipas tij qarkullon 350 ton kokainë në Paraguaj, bashkëpunon me 41 klane shqiptare, duke shtuar se fama dhe shtrirja e këtyre klaneve tashmë nuk kufizohet vetëm në Evropë, por edhe në SHBA, Australi, Azi dhe vende të tjera. Ai i cilësoi grupet shqiptare si transportuesit kryesorë të kokainës dhe miliarderët më të mëdhenj të këtij trafiku.

Kreu i PD-së akuzoi qeverinë se ka instaluar një “narko-diktaturë”, e cila, sipas tij, dikton rezultatet zgjedhore, ka futur 28 deputetë në Kuvend dhe kontrollon çdo vendimmarrje politike, përfshirë emërimin e ministrave. Në këtë kontekst, ai përmendi edhe Ergys Agasin, duke e cilësuar si person shumë të afërt me kryeministrin Rama dhe të lidhur me bandat kriminale.

“Ju rikujtoj këtu se Ergys Agasi për llogari të bandave dhe të tij ka larguar nga detyra 3 ministra të brendshëm, kush ishte Ergys Agasi. Njeriu më i afërt në çdo aspekt i Edi Ramës. Njeriu më i afërt, merrte pengje për Edi Ramën dhe organizon t’i sjellë peng edhe Arben Ahmetajn për shkak të denoncimeve që ai i bën nga Lugano. Është shndërruar në rrezik për Evropën ky regjim, imagjinoni çfarë është për qytetarët e vetë. Ministrat, drejtori i policisë, drejtorë agjencish, janë që të gjithë të lidhur këmbë e xhep me klanet e drogës sepse padrino i vendit, e konsideron drogën si rrugën e zhvillimit”, tha ai.

Berisha deklaroi se Shqipëria është shndërruar në “lavatriçe gjigante” të pastrimit të parave të drogës në Evropë, duke e lidhur këtë fenomen me rritjen e pazakontë të sektorit të ndërtimit. Sipas tij, treguesi i ndërtimit në Shqipëri është rreth 300% më i lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, ndërsa çmimet e banesave janë në nivele stratosferike.

Ai u ndal edhe te pasojat sociale dhe ekonomike, duke theksuar se në 10 vitet e fundit mbi 43% e shqiptarëve janë detyruar të largohen nga vendi. Berisha përmendi zhvlerësimin e euros dhe goditjen ndaj pensionistëve dhe eksportuesve, duke deklaruar se shumë prej tyre janë çuar drejt falimentimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb