Emisioni Vetting

Drejtoresha e Tatimeve, Lala dhuroi kompaninë me licencë ndërtimi
Historia me kompanitë e fshehura në emër të personave të tretë është një nga refrenet më të përsëritura në aferat e korrupsionit dhe pastrimit të këtyre parave. Në momentin që një zyrtar i lartë ka siguruar të ardhura nga aferat në administratë, problemi nuk është më vepra e korrupsionit, por te fakti se si paratë e siguruara dorazi t’i fusi në sistemin bankar si para të ligjshme. Një nga mënyrat është themelimi i kompanive private, të cilat pasi i themelojnë ua kalojnë fiktivisht personave të tretë, që janë zakonisht të afërm ose miq jashtë radarit mediatik.

Një nga rastet që ngre dyshime për kalim aksionesh në mënyrë fiktive lidhet me drejtoreshën e tatimeve Tiranë Erilinda Lala. Në këtë rast, pasi ka themeluar kompaninë në vitin 2023 dhe ka siguruar një licencë për zbatime në punimet e ndërtimit, Drejtoresha Lala me miratimin e bashkëshortit Taulant Godroli në 16 dhjetor 2024 do t’i dhuronte aksionet e veta ortakes së saj Marsida Dedej, aksione me vlerë 100 mijë lekë ose 1 mijë euro. Në fakt, drejtoresha Lala kur është larguar nga detyra që bën deklarimin e pasurisë, nuk ka deklaruar se ishte aksionere te kompania, por edhe kur është emëruar në krye të Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala ka fshehur dhurimin e aksioneve të kësaj kompanie, duke ngritur dyshime për kalim fiktiv të këtyre aksioneve te Marsida Dedej me kompaninë “2D Construction 2025”.

Erilinda Lala Taulant Godroli Kontrate Dhurimi Kuotash
Erilinda Lala Taulant Godroli Kontrate Dhurimi Kuotash

Sipas avokates Kola, në rastin e dhurimit të aksioneve, një zyrtar që bën deklarimin e pasurisë është i detyruar të paraqesë në deklaratën e pasurisë edhe lëvizjen e aksioneve.

“Është shumë e rëndësishme se kujt ia dhuron sepse shumica e dhurimeve, ne e dimë që bëhen edhe në mënyrë fiktive, për të fshehur pasurinë”, u shpreh avokatja Kola.

Duke lexuar kushtet e dhurimit, kupton se Erilinda Lala dhe bashkëshorti Taulant Godroli i kanë dhuruar aksionet e kompanisë me vlerë 100 mijë lekë ose 1 mijë euro dhe me licencë në ndërtim. Në 29 shkurt 2024, kompania “2D Construction 2025“ ish “Gea Construction” ka siguruar licencë profesionale të punimeve të zbatimit në ndërtim. Kjo është një kategori licencash që i siguron një biznesi të realizojë projekte ndërtimi si resorte, kulla apo edhe komplekse.

Gea
Gea

Nga verifikimet e “Vetting” rezulton se subjekti ka emëruar drejtuesin teknik Armand Arkanxhiun në 2025, ndërkohë që licencën e ka marrë në vitin 2024. Ka pikëpyetje se si kjo kompani e ka marrë licencën ndërkohë që nuk ka patur të deklaruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit se kush ka qenë paraprakisht drejtuesi teknik. Ky i fundit është shumë i rëndësishëm sepse pa një drejtues teknik të certifikuar, kompania nuk mund të marrë ose të mbajë licencën profesionale për të ushtruar aktivitetin, sipas rregulloreve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Madje dyshimet për mungesën e inxhinierëve dhe të punonjësve që janë kusht vijnë nga bilancet financiare të vetë kompanisë.

Sipas avokates Kola Margarita Kola, në rastin e mosdeklarimit të aksioneve ndërhyn ILDKPKI-ja, e cila është pikërisht për trajtimin e konfliktit të interesit dhe deklarimin e pasurisë.

“Patjetër që mosdeklarimi është shkelje ligjore dhe nuk ka vend për t’u diskutuar”, tha avokatja Kola.
Bashkëshorti i Lalas, “aksioneri” në hije i kompanisë “2D Construction 2025”

Në shtator 2024, Erilinda Lala do të bëhej këshilltare e Ministrit të Financave Petrit Malaj dhe sipas ligjit duhet të bënte deklarimin fillestar të pasurisë për të ilustruar pasuritë.

Më nëntor 2024, Lala do të largohej nga ky pozicion për t’iu bashkangjitur kabinetit të Drejtorit të Tatimeve. Megjithatë pas largimit nga ky funksion, Drejtoresha e Tatimeve do të dhuronte aksionet e kompanisë “2D Construction 2025” ish Gea Construction Marsida Dedej, ku do të firmoste edhe bashkëshorti për miratimin e dhurimit. Në formularin e dytë për deklarimin e pasurisë pas largimit nga detyra, Lala nuk do të deklaronte se ishte aksionere te kjo kompani, pasi ligjërisht në nëntor 2024 ishte aksionere dhe ligji për deklarimin e pasurisë e kërkon që gjithmonë të bësh deklarimin e aksioneve.
Përpos kësaj, në 29 maj 2025, Lala do kalonte drejtoreshë te tatimet pa patur statusin e nëpunësit civil, si drejtoreshë e komanduar.

Fshehja e aksioneve, por edhe e dhurimit, gjë të cilën Lala e ka patur mundësinë që ta rregullonte në maj 2025 pasi mori detyrën te tatimet, duke u mjaftuar me një gjobë ngre dyshime.

Pse do të fshihte pronësinë te kjo kompani drejtoresha e Tatimeve?

Sipas avokates Kola, aty duhet të ketë patur një konflikt shumë të madh interesi, që nuk është bërë deklarimi.

“Mendoj që është i qëllimshëm mosdeklarimi”, tha avokatja për rastin në fjalë.

Nga dokumentet e siguruara prej “Vetting” rezulton se kompania “2D Construction 2025” ka marrë leje ndërtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) me vendimin nr. 16, datë 23.07.2025 për objektin në Qerret për një kompleks me godina banimi, shërbim dhe hotel me 3, 8, 10, 12 dhe 15 kate mbi tokë dhe 2 kate parkim nëntokë.

Pra, kemi një projekt turistik ose gati strategjik në një zonë ku nuk gjendet asnjë godinë kaq e lartë, ku sipas Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Kavajë lejohet ndërtimi deri në 6 kate.

Por cila është lidhja midis drejtoreshës së Tatimeve dhe ish ortakes së saj Marsida Dedej?

Një ditë pasi do të dhuronte aksionet e saj Marsida Dedej, në 17 dhjetor 2024 bashkëshorti i Erilinda Lalas, Taulant Godroli do të bënte pagesën për një gjobë të kësaj kompanie, e cila ishte e datës 16 dhjetor 2024. Në këtë rast, prej datës 16 dhjetor Erilinda Lala nuk ishte më aksionere dhe sipas kushteve të dhurimit të aksioneve ajo apo bashkëshorti i saj nuk kishin asnjë detyrim ligjor për pagesat.

Për më tepër, si mund të shkosh të paguash gjobën e një kompanie private, me të cilën nuk ke asnjë lidhje ligjore dhe kjo gjobë lidhet me Qendrën Kombëtare të Binzesit?

Pra, kemi indicie të forta që shitja thjesht mund të jetë fiktive për të shmangur vëmendjen nga Prokuroria, por edhe agjencitë mediatike në fushën e investigimit. Konkretisht Marsida Dedej është bashkëshortja e Drimon Dedej, hartues i bilanceve financiare për kompaninë “ECO-CLEANING” shpk, ku Godroli ka qenë dhe është administrator.

Për më tepër, edhe pasi u shitën aksionet, adresa e kompanisë nuk ka ndryshuar menjëherë, por ka qenë në kompleksin Usluga, në të njëjtin kat ku ndodhen edhe bizneset e tjera ku punon Godroli.

Dyshimet përforcohen sepse disa muaj pasi i dhuruan aksionet, Dedej do t’i ndryshonte emrin kompanisë duke humbur gjurmët, e cila do të fillonte edhe procedurat për të marrë lejen e ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Sipas avokates Margarita Kola, në këtë rast është detyra e ILDKPKI-së, që ta dërgonte rastin në prokurori, te drejtoria e hetimit tatimor ose te krimi ekonomik “Është detyra e ILDKPI-ja ta referojë. ILDKP-ja për mua është në shkelje të ligjit,” deklaroi avokatja Kola.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb