Emisioni Vetting

Toka për resortin u dha pa garë dhe në shkelje të ligjit me pronar të mundshëm LALA-GODROLI

Në Shqipëri, ligji i ndërtimit është i qartë,asnjë tullë apo vijë nuk mund të vendoset mbi një truall pa u vërtetuar se kush është pronari i tokës dhe pa marrë pëlqimin e tij. Madje, kur bëhet fjalë për pronën publike të një bashkie, ky pëlqim jepet vetëm përmes votës së Këshillit Bashkiak, i cili është i vetmi organ që ka fuqinë ligjore të vendosë nëse kjo tokë mund të jepet në shfrytëzim.

Fakti që Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) ka nxjerrë një leje ndërtimi për kompaninë private “2D Construction 2025” me pronare Marsida Dedej dhe ish aksionere drejtoreshën e Tatimeve Tiranë Erilinda Lala përpara se ky votim të ndodhte në Bashkinë Kavajë, është një skandal i rëndë. Sistemi elektronik i lejeve (e-Albania) është programuar që të jetë i pakalueshëm, pasi kërkon detyrimisht ngarkimin e certifikatës së pronësisë ose të kontratës së shfrytëzimit për të ecur përpara.

Kjo situatë krijon dyshime se procedura në sistem mund të jetë kapërcyer, pasi projekti ka avancuar pa dokumentin bazë të pronësisë, duke injoruar mungesën e dokumentit bazë që legjitimon kompaninë private. Ky nuk është thjesht një anashkalim i bashkisë, por një cenim i rëndë i autonomisë vendore nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Praktikisht, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, që drejtohet nga Adelajda Roka, ka kaluar në KKT një projekt që nuk kishte certifikatën e pronësisë.

Pas këtij projekti i cili është firmosur nga Këshilli Kombëtar i Territorit në kundërshtim me ligjin për kompaninë “2D Construction 2025”, ish Gea Construction, dyshohet se fshihen Drejtoresha e Tatimeve Erilinda Lala dhe bashkëshorti i saj Taulant Godroli.

Sipas avokati Ramaj, nuk mund të jepet leja e ndërtimit pa u përcaktuar pronari juridik i pronës që jepet për zhvillim.

“Çdo veprim i bërë pa miratimin e pronarit të ligjshëm nga institucione të tjera është në shkelje të ligjit. Ky veprim sjell pavlefshmëri të të gjitha veprimve të kryera më pasi nuk ka bazë ligjore”, u shpreh avokati Ramaj.

Leja e ndërtimit është dhënë nga KKT-ja përpara se të rregullohej marrëdhënia juridike mbi tokën. Të gjitha proceset si projekt-vendimi dhe vendimi i Këshillit Bashkiak janë marrë nga Bashkia Kavajë vetëm pasi është dhënë leja e ndërtimit. Konkretisht, Bashkia i ka kryer këto procedura në 20 tetor 2025, ndërsa leja e ndërtimit është dhënë më 23 korrik 2025.

Në këtë pikë lindin disa pyetje thelbësore:

Për çfarë projekti i ka dhënë lejen Këshilli Kombëtar i Territorit kompanisë private kur nuk ishte përcaktuar ende prona ku do të ndërtohej? Si ka paraqitur kërkesën për këtë projekt Marsida Dedej nëpërmjet kompanisë “2D Construction 2025”, ndërkohë që nuk kishte tokën ku do të zhvillohej projekti? Dhe nga e ka ditur kompania se do të merrte leje nga KKT-ja dhe më pas nga Bashkia Kavajë për këtë sipërfaqe?

Përgjigjet për këto pyetje mund t’i japë vetëm SPAK-u, pasi kemi një listë të gjatë zyrtarësh të lartë që mund të kenë shpërdoruar detyrën për t’i dhënë jetë një resorti që do t’i bëjë hije bregdetit me lartësinë e tij, e cila në këtë zonë është në kundërshtim me Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Kavajë.

Një proces tjetër i rëndësishëm për të cilin mungon transparenca lidhet me mënyrën se si kjo pronë publike është dhënë nga Bashkia për zhvillim. Nga dokumentet rezulton se nuk është zhvilluar një proces konkurrimi për shfrytëzimin e pronës publike dhe nuk shpjegohet plotësisht statusi real i kësaj pasurie që i është dhënë kompanisë për zhvillim.

Këto elemente janë pikërisht pikat që ngrenë pikëpyetje serioze për mënyrën se si është dhënë toka e bashkisë për këtë projekt.

Planet për ndërtimin e resortit janë hedhur në erë nga kërkimet e redaksisë, pasi sipas Bashkisë Kavajë kompania nuk ka paguar taksën e ndërtimit, e cila përllogaritet rreth 1 milion euro. “Vetting” ka siguruar kontratën e firmosur midis Bashkisë Kavajë dhe kompanisë private dhe ka evidentuar se projekti turistik në zonën e Qerretit kushton shumë më tepër se përllogaritja fillestare.

Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi me godina banimi, shërbimi dhe hotelerie, me disa volume ndërtimi që arrijnë deri në 15 kate mbi tokë dhe me 2 kate parkim nëntokë. Në projekt janë parashikuar ndërtesa me lartësi të ndryshme, konkretisht 3, 8, 10, 12 dhe deri në 15 kate, të cilat do të formojnë një kompleks turistik me funksione banimi, hotelerie dhe shërbimesh.

Duke u bazuar në përmasat e këtij resorti dhe në koston mesatare të ndërtimit për projektet turistike në bregdet, një kompleks i tillë mund të ketë një vlerë minimale investimi rreth 20 milionë euro. Kjo është një përllogaritje minimale që lidhet me sipërfaqen e pritshme të ndërtimit, pasi vlera reale mund të jetë shumë më e lartë.

Një detaj tjetër i rëndësishëm që del nga kontrata dhe dokumentet zyrtare lidhet me praninë e një kanali kullues në zonën e projektit. Rezulton se bashkia është në dijeni të ekzistencës së këtij kanali dhe në dokumente përmendet se zhvillimi i projektit duhet të marrë parasysh praninë e tij. Kjo do të thotë se ndërtesat dhe infrastruktura e projektit nuk mund të ndërtohen mbi kanal dhe duhet të respektohet një distancë sigurie nga ai.

Në praktikë kjo quhet servitut, pra një hapësirë e lirë pranë kanalit që duhet të mbetet e pandërtuar për mirëmbajtjen dhe funksionimin e sistemit të kullimit.

Megjithatë, nga mënyra si janë hartuar dokumentet, del një paqartësi. Kontrata mes bashkisë dhe kompanisë e përmend kanalin vetëm në mënyrë të përgjithshme dhe nuk jep detaje të qarta për mënyrën se si do të menaxhohet ai gjatë zhvillimit të projektit.

Nuk specifikohet nëse kanali do të mbetet në gjendjen aktuale, nëse do të zhvendoset, apo nëse do të integrohet në projekt me punime të reja infrastrukturore. Çdo ndryshim i kanalit kërkon miratim nga institucionet që administrojnë sistemet e kullimit dhe ujërave.

Të dy institucionet, si Agjencia e Zhvillimit të Territorit ashtu edhe Bashkia Kavajë, refuzojnë të bëjnë komente për këto shkelje të dyshuara dhe në frikë nga hetimet e mundshme të Prokurorisë kanë zgjedhur të heshtin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb