Deputeti i PS, Erion Braçe, ka folur për ambicien e tij për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme vendore për drejtimin e Bashkisë Tiranë.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Braçe u shpreh se qytetarët duhet ta mbështesin për shkak të punës së bërë si deputet në Tiranë, duke theksuar se ka qenë pranë njerëzve dhe problemeve të zonës së tij.

“Njerëzit duhet të votojnë për mua se jam socialist dhe për shkak të provës që kam bërë para një viti në Tiranë”, deklaroi ai.

Braçe tha se kandidimi i tij si deputet në Njësinë 5 ishte një sfidë e rëndësishme, pasi sipas tij ajo zonë kishte mbetur pa përfaqësim real prej vitesh.

“U bëra deputet në Njësinë 5 në Tiranë, që nuk ka pasur deputetë për këto vite. Ajo zonë ishte pa deputet”, u shpreh ai.

Deputeti socialist shtoi se sot banorët e zonës e njohin dhe e kanë parë pranë tyre në përditshmëri.

“Në Njësinë 5 nuk besoj se ka njeri që të thotë se nuk e njeh deputetin, apo që nuk e ka parë në lagje dhe nuk e ka dëgjuar të flasë për hallet e zonës”, tha Braçe.

Ai theksoi se ndihet “i provuar” politikisht dhe jo një kandidat pa eksperiencë, ndërsa gara për Bashkinë e Tiranës pritet të sjellë rivalitete të forta brenda socialistëve.

Më herët, kryeministri Edi Rama ka shprehur mbështetje publike për Ogerta Manastirliu si një emër potencial për garën e ardhshme për drejtimin e kryeqytetit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb