Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, i ftuar në studion e News24, ka komentuar ambicien e shprehur të deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Tirana.

Duka u shpreh pozitivisht për figurën e Braçes, duke theksuar se ka simpati personale për të, edhe për shkak të angazhimit të tij për sektorin e bujqësisë dhe përputhjes së mendimeve në disa çështje.

“Erion Braçe, kam simpati personale, ndoshta se është marrë edhe me bujqësinë dhe kemi pasur mendime të afërta. Është i duhuri për bashkinë e Tiranës,” u shpreh ai.

Sipas Dukës, Braçe dallohet për integritetin dhe përvojën e tij në politikë, çka sipas tij do të ishte një vlerë e shtuar për drejtimin e kryeqytetit.

“Si njeri është i ndershëm, do i bënte mirë Tiranës, ka eksperiencë të jashtëzakonshme,” theksoi kreu i PAA.

Megjithatë, ai nënvizoi se vendimmarrja për kandidaturat i takon drejtuesve të partive, të cilët marrin në konsideratë një sërë faktorësh politikë dhe strategjikë.

“Për të vënë kandidaturën, kryetari i partisë sheh problematikat që paraqet një kandidaturë. Votat i ka edhe sigla e partisë,” u shpreh Duka.

Ai shtoi se nuk ka asnjë rezervë ndaj Braçes dhe madje deklaroi hapur mbështetjen e tij në rast se ai do të kandidonte.

“Unë e deklaroj, nëse del Braçe i jap votën time, është njeri që ja vlen,” tha Duka.

Sipas tij, Braçe ka një kontribut dhe eksperiencë të madhe në Partia Socialiste e Shqipërisë, madje më të spikatur se shumë figura të tjera, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama.

“Ai ka eksperiencë dhe kontribut më shumë se Rama në PS. Ka edhe nuhatje politike,” u shpreh Duka, duke shtuar se nuk përjashton mundësinë që Braçe të garojë edhe si kandidat i pavarur.

Në fund, ai sugjeroi se lëvizjet e Braçes mund të lidhen edhe me synimin për të konsoliduar mbështetjen brenda Partisë Socialiste, duke pasur parasysh simpatinë që gëzon në radhët e saj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb