TIRANE – Ndërsa zgjedhjet lokale afrohen, ajo që mbetet për tu zbuluar në këto muaj janë kandidatët që do të përballen më 21 qershor. Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe theksoi sërish se do të pranonte kandidimin në Tiranë, për punë, por jo për ofiq. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Braçe tha: “Nëse është punë e pranoj me kënaqësi, nëse është ofiq s’dua kam plot. S’kam interes nga ana ime për këtë gjë. Pranoj çdo propozim që më bëjnë për punë. Çdo gjë tjetër që lidhet me ofiqet s’më intereson. Kjo nuk do të thotë që unë dua të kandidoj, është jashtë meje.”- deklaron Braçe.
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë foli edhe për ligjin e ri për lojërat e fatit, që siç tha ai synon të nxjerrë jashtë qyteteve lojërat e fatit dhe t’i adresojë ato kryesisht në hotelet me 5 yje. Ndër të tjera, zoti Braçe theksoi se e shikon të arsyeshme që gjatë këtij vitit të rishikohet paga minimale në Shqipëri.
Ndërsa testimi i mjekëve dhe infermierëve ka ngjallur kundërshti dhe debate të shumta, për deputetin Braçe ky testim është i nevojshëm, pasi në sistem janë futur edhe njerëz që nuk e meritojnë.
“Mos bëjmë sikur nuk e dimë dhe sikur nuk e kuptojmë. Kanë ndërhyrë njerëz, për të futur infermierë në punë. Kanë të bëjnë drejtpërdrejt me shëndetin e njerëzve. Kur thuhet se nuk do të preket vendi i punës, të gjithë duhet të qetësohen. Nuk mund të vendoset një marrëdhënie armiqësore me ata njerëz që shërbejnë në sektorin publik. Gjithsecilit nuk ka përse t’i vijë turp nga një testim që nxjerr në pah ato që ai di. Jam dakord me kërkesat e personelit mjekësor për kushtet, ilaçet, pavarësisht se ka një përmirësim të dukshëm dhe natyrisht edhe me një mbrojtje, një status që duhet t’i jepet gjithkujt që shërben në sistemin e shëndetësisë. Nëse ne japim këtë garanci për mjekun në anën tjetër duhet të marrim të njëjtin feedback, duhet të mbështesin iniciativa që shërbejnë për përmirësimin e shërbimeve”- deklaroi Braçe.
(er.nu/BalkanWeb)
