Erion Braçe ka mbetur një nga zërat e pakompromis brenda Partisë Socialiste. Në një mjedis ku debati i brendshëm është shuar dhe ku kritika nuk tolerohet më, ai vazhdon të artikulojë hapur qëndrimet e tij, edhe kur ato bien ndesh vijën e partisë.

Kjo e bën Erion Braçen, që edhe pse shtatvogël, të jetë i dallueshëm sot dhe në gjithë historinë e tij politike.

Ndryshe nga shumë deputetë që madje edhe kur largohen nga PS nuk guxojnë të artikulojnë qoftë edhe një kritikë, Braçe, tek i cili me sa duket profesioni i gazetarit ka lënë shenjë, ka treguar se fjala e lirë është detyrim i njeriut që përfaqëson qytetarët.

Ai nuk ka frikë të thotë publikisht atë që të tjerët zgjedhin ta pëshpërisin në korridore.

Dhe kjo vjen jo nga pozicione pushteti, por nga një kulturë politike që e ka ndërtuar prej vitesh. Ai flet hapur, pa frikë nga pasojat dhe pa kalkulime për karrierë. Në një PS që nuk ngjan më me forumin e dikurshëm ku zhvillohej debat, ku idetë përplaseshin dhe ku mendimi ndryshe ishte pjesë e normalitetit politik, duket se Erion Braçe përfaqëson një “reminishencë” të asaj kohe. Ai nuk i është adaptuar modelit të unitetit “të ngrirë”, ku heshtja shpesh vlerësohet më shumë se fjala. Përkundrazi, mbetet një prej figurave që e mbron publikisht idenë se një parti politike është më e fortë kur flet, jo kur hesht.

Dhe fakti tjetër që e veçon është se Erion Braçe ka fituar gjithmonë pa u mbështetur te makineria e rëndë e partisë. Ai ka dalë para votuesve me profilin e tij, me qëndrimet e tij, me punën e tij, jo me fuqinë e strukturave. Kjo e ka bërë të padetyruar, të palidhur nga koncesione politike, dhe ndoshta për këtë arsye ka ruajtur lirinë e fjalës, lirinë për të kritikuar, lirinë për të mos u rreshtuar me çdo vendim, vetëm e vetëm se ashtu është “vija zyrtare”.

Sot, kur PS është shndërruar në një organizëm politik ku të gjithë flasin e mendojnë njësoj, Erion Braçe mbetet një nga të paktët që bën të kundërtën. Ai flet siç mendon. Dhe në vetvete, ky është shërbimi më i madh që mund t’i bëhet një partie, por edhe publikut, i cili pret të dëgjojë të vërteta, jo tekste të unifikuara politike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: