Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho gjatë vizitës së saj në Kongresin Amerikan është takuar edhe me kongresmenin amerikan Robert Aderholt.
Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Xhixho ka ndarë detaje nga takimi duke nënvizuar se diskutuan për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA.
Reagimi:
Në Kongresin Amerikan, u takova me kongresmenin Robert Aderholt, me të cilin diskutuam mbi forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë bisedës, shpreha shqetësimin për ndikimin e karteleve të drogës dhe krimit të organizuar në Shqipëri, si edhe theksova rëndësinë që ka përkushtimi i SHBA-së për ta vendosur luftën kundër tyre në krye të axhendës së sigurisë. Po ashtu, ngrita shqetësimin për përdorimin e drejtësisë nga qeveria si mjet për të luftuar kundërshtarët politikë.
Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për Bashkimin Europian, duhet të fokusohet në reforma reale që forcojnë sigurinë, demokracinë dhe qeverisjen e mirë. Partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet kyç dhe duhet të forcohet mbi bazën e prioriteteve të përbashkëta.
