TIRANE– Qershori në Tiranë ka nisur me super evente. Këngëtari i famshëm shqiptar Ermal Meta u ngjit mbrëmjen e djeshme në skenën e madhe të sheshit “Skënderbej”, ku këndoi hitet e tij më të mira. Fillimisht ishin Marsela Çibukaj, Vitmar Basha dhe Eugent Bushpepa që ndezën skenën dhe më pas radha ishte e fituesit të Sanremos, Ermal Meta, që solli një eksperiencë të paharrueshme për të gjithë.
![]()
Mes duartrokitjeve të pandërprera, këngëtari i talentuar nga Shqipëria vlerësoi pritjen që i rezervoi Tirana, ndërsa falenderoi kryebashkiakun Veliaj për aktivitete të tilla që pasurojnë jetën kulturore të qytetit.
![]()
“Kush vendos kulturën në radhë të parë, do të thotë se ka shumë kulturë dhe shumë përgjegjësi për jetën”, tha Ermal Meta.
![]()
Në fjalën përshëndetëse, kreu i Bashkisë së Tiranës tha se Ermal Meta është shembulli i të rinjve që falë punës dhe talentit të tyre ia kanë dalë të jenë të suksesshëm. “Patëm një bisedë me shumë studentë, ku Ermali na tregoi historinë e jetës së tij. Për të rinjtë ishte një moment frymëzimi se si dikush edhe pse nuk ka mbiemër të njohur, edhe pse nuk vjen nga një familje e madhe, edhe pse nuk i ka shtruar njeri tapetin e kuq, edhe pse nuk ia ka hapur njeri portën, arrin të bëhet i madh me shumë punë dhe me shumë talent. Një shembull frymëzimi për të gjithë”, u shpreh Veliaj.
![]()
Koncerti u ndoq edhe nga ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo, i cili teksa falenderoi Ermal Metën, vlerësoi edhe kryebashkiakun Veliaj. “Jam shumë i lumtur që sonte jemi bashkë me Erionin, kryebashkiakun më simpatik të Europës, dhe me Ermalin, fitues i festivalit të San Remo-s. Është e mrekullueshme të festojmë festën e Republikës me Ermalin dhe t’i themi se sa shumë ne italianët, shqiptarët jemi të kënaqur me suksesin e tij dhe krenar për shembullin që jep për miqësinë shqiptaro-italiane”, tha Cutillo.
![]()
Kjo verë pritet të jetë vërtet e nxehtë, jo vetëm sa i takon temperaturave, por edhe aktiviteteve të shumta që janë planifikuar të organizohen në Tiranë. Kryeqyteti shqiptar do të jetë këtë verë stacioni i yjeve të muzikës botërore. Të dielën sheshi “Skënderbej” do të digjet sërish nga performanca e shumëpritur nga gjithë shqiptarët e këngëtares me famë botërore, Rita Ora.
![]()
Një tjetër emër i njohur që pritet të ngjitet në skenën e Sheshit “Skënderbej” do të jetë edhe ylli i muzikës Daddy Yankee, me hitet si “Danza Kuduro,” “Despacito,” “Gasolina,” “Limbo”.
(BalkanWeb)
