Një libër i ri, që sjell një përmbledhje të shkurtër e koncize mbi “Arkitekturën shqiptare të shek.XX”, ka parë dritën e botimit. Autori i studimit, Ermir Hoxha me foto dhe tekst sjell një historik të vyer mbi stilet, rrymat e politikat që u përjetësuan në arkitekturë. Lektor i Historisë së Artit Shqiptar në Universitetit e Arteve.

SHEKULLI XX
Tashmë e pavarur, Shqipëria kish trokitur në shekullin e XX-të. Një shekull patjetër i dhunshëm, por që nën ritmin e një ekonomie dinamike e të një teknologjie që lëvizte me shpejtësi edhe më dinamike, shpalos stile e forma të shumëfishta nga dekada në dekadë, në tentativë përgjigjeje për kushtet e ndryshme politiko-sociale.
Shekulli i XX-të, shekulli i luftërave botërore e kampeve ideologjike, patjetër që do të projektonte ndikimin e tij pashmangshmërisht në gati gjithë sfumaturat e veta edhe mbi realitetin shqiptar. Në këtë periudhë dinamike, shkolla të ndryshme arkitektonike zëvendësuan njëra-tjetrën. Ato nisin me jehonat neorinashimentale në Shkodrën e Idromenos, frymën perëndimore në Korçën shumë-stilëshe, për t’u pasuar vetëm pas pak dekadash nga skemat e klasicizmit roman, propozuar nga Brasini për kryeqytetin e ri, projekte që për shkak të kostove mbetën vetëm në letër.

Vetëm pas pak vitesh, arkitektë si Di Fausto, Morpurgo e Berte do të hidhnin themelet stilistike në qendrën e kryeqytetit të ri me kompleksin ministerial e bankën e parë kombëtare në Durrës, ku do të mbizotëronin sipërfaqet e shtrira me shije neorinashimentale e manieriste, elementë që do të tejkaloheshin me forcë vetëm pas pushtimit nga gjuha e racionalizmit monumental imponuar nga Bozio. Pas luftës gjithçka u “mohua” në emrin e vëllazërimit me BS-në, imponimi politik i së cilit përcolli “butafori”, që do të anashkaloheshin vetëm pas viteve ’60, kohë kur gjuha e një racionalizmi të ri funksional u propozua nga personalitetet e reja të arkitekturës shqiptare, të cilët kishin studiuar sa në vendet e Lindjes, po aq dhe në shkollën e re vendase.

NDIKIMET
Në këtë shekull, zhvillimet stilistike arkitektonike ishin të shumëllojshme. Ato u mbivendosën pareshtur me shpejtësi duke krijuar një panoramë shumëformëshe të pakrahasueshme me asnjë periudhë tjetër pararendëse. Studimet mbi këtë produkt shpesh ishin pasqyrë e vetë kohës, porse një studim ezaurues, gjithëpërfshirës ende mbetet një sfidë reale për cilindo studiues.
Vlen të përshëndeten studimet e përtejdetit (por jo vetëm) fokusuar mbi arkitekturën italiane zhvilluar në vitet ’30-’40, gjithë ato sprova tematike që u përqendruan në zhvillimet e arkitekturës së pasluftës e padyshim dhe studimet e monografitë e shumta mbi disa nga personalitetet kryesore të arkitekturës vendase të shekullit të XX-të.

Faqet që pasojnë tentojnë me modesti të bëjnë një përmbledhje të shkurtër të zhvillimeve kryesore të arkitekturës përgjatë shekullit të XX-të. Është një studim në miniaturë i fenomenit, i vetëdijshëm që për një hapësirë kohore kaq të gjerë nevojitet një qëndrim më i gjatë mbi stilet dhe personalitetet e shumta që e përshkuan, të huaj e vendas, e akoma më shumë në veprat që ata lanë. Por në tërësi ai mundohet të ezaurojë kureshtjen e studiuesve të rinj, studentëve të arkitekturës, apo dashamirësve të këtij arti, që duan të dinë më shumë mbi ndërtesat kryesore që shënuan arkitekturën e shekullit të XX-të. Ato ndërtesa që sot na rrethojnë duke përcaktuar hapësirat e qyteteve tona, e që akoma më shumë na flasin se si ishim dhe si duhet ta gjykojmë të shkuarën e mbi të gjitha si mund të ndërtojmë të ardhmen.

IKJE NGA MESJETA
Shekulli i XX-të ishte shekulli i shkëputjes së vendit nga e kaluara mesjetare, nga organizmi i improvizuar i hapësirave urbane dhe i ndërtimit të banesave sipas frymës lokale.
Ai ishte shekulli i ndërtimeve të mëdha, i masterplaneve, i përplasjes së vizioneve për një arkitekturë të re, i “kapriçove” e gjuhëve stilistike të denja për shekullin e ideologjive. Në gjysmën e parë të tij, arkitektët vendas, (tashmë jo më “pre” e anonimitetit tipik të mjeshtërve ndërtues të shekujve paraprirës), të shkolluar në Perëndim, dhanë kontributin e tyre minor në një terren të përshkruar kryesisht nga arkitektët italianë, të cilët ngritën godinat kryesore të Shqipërisë së asaj periudhe. Në këto pak dekada u hodhën themelet stilistike për një arkitekturë përfaqësuese, e cila kalon nga ripërcjellja rinashimentale e manieriste e Di Faustos e Morpurgos, tek monumentaliteti racional i Bozios, për të shpërhapur sidomos në bulevard shijen dhe imazhin e shtetit të ri shqiptar.

Në gjysmën e dytë të këtij shekulli, regjimi i ri i pasluftës tentoi të rinovojë gjithçka në emër të ideologjisë, aq sa arkitektura shqiptare e shekullit të XX-të kthehet në një histori shtresëzimesh, ku vazhdimisht përballen stile e personalitete. E varfëruar nga nënshtrimi pa kushte i shijes sovjetike, deri në fundvitet ’50 ajo nuk ofroi vlera, porse sanksionoi tashmë orientimin lindor të çdo resursi krijimtarie, pa rezerva, në shërbim të misionit të ri, arkitekturën e Realizmit Socialist. Edhe pse pothuajse e pazbërthyeshme nga arkitektët vendas, ajo u implementua fillimisht me forma standarde për të kërkuar frymëmarrje në mesin e viteve ’60 me orientimin drejt një arkitekture të re, racionale e funksionale, ku vëllimet gjeometrike shkëputen përfundimisht nga “doriku i kuq” i viteve ’50.
Vështrimi i saj drejt perëndimit, për një gjuhë vëllimore më bashkëkohore, i dha pak frymëmarrje ngurtësimit ideologjik që do të përligjte dekadat që do të pasonin. Shenja karakteristike e saj ishin ato qindra e qindra kinoklube, shtëpi e pallate kulture, numri i të cilave do të dyfishohej shpejt në vitet ’70.

IDEOLOGJIA
Të vendosura ekskluzivisht në qendër a pika strategjike urbane e rurale, ato ishin reflektimi i vendosmërisë së shtetit për përçimin e ideologjisë në çdo cep të vendit. Për vetë qytetarët ato duhet të ishin pika qendrore e përjetimit të Realitetit Socialist, ku kultura dhe arti materializonin vizionin ideologjik shtetëror. Organizimi i ri urbanistik, standardizimi dhe ndërtesat që e shënuan atë, mbetën faktori më i fortë për organizimin psikik të masave dhe habitati stereotip i njeriut të ri socialist. Ato shënuan në mënyrë të pashmangshme si territorin ashtu dhe përditshmërinë e disa brezave, aq sa dhe sot përbëjnë një realitet urban të paanshkalueshëm, dëshmitar i heshtur e i trishtë i një riorganizimi në emër të modernizimit. Arkitektura shqiptare e shekullit të XX ishte pasqyrë e një shekulli dhune e përçudnie. Ajo u imponua në pjesën më të madhe nga vullneti politik i pushtetmbajtësve, vizioni i të cilëve, shpesh i munguar, apo i keqorientuar nga aleatët strategjikë, solli një miks formash e vëllimesh që shënjuan territorin, ashtu si dhe zig-zaget politike përgjatë gjithë shekullit.

1973, SHPATA DREJT
ARKITEKTËVE: TENDENCË
GJIGANDOMANIE
Muzeu Historik Kombëtar përcjell një shije hermetizmi e monumentaliteti tendencioz, fatkeqësisht në harmoni me shijen estetike dhe klimën e përgjithshme në vend. Përveç se një sipërmarrje monumentale si për projektuesit, e për financat e shtetit, ajo përbënte në esencë metarrëfimin personal të Hoxhës mbi historinë, rëndësia e të cilit nënkuptohet lehtë nga dimensioned dhe vendi që ai përfton në sheshin kryesor të kryeqytetit.

Për rreth dy dekada (’55-’75) arkitektët shqiptarë jetuan ditë deri diku të qeta. Rruga e tyre ishte e ngjashme me atë të krijuesve të tjerë, herë me përplasje e kërkesa absurde e here me mirëkuptime ngushëlluese. Por kjo nuk zgjati shumë. Pas Plenumit të IV, (1973) padyshim një pjesë e furisë shtetërore ishte rezervuar edhe për grupin e arkitektëve. Etiketimeve pararendëse për arkitekturë moderne, iu bashkëngjitën shpejt mbiemrat, “e gabuar”, “e dëmshme”, “pa asgjë kombëtare” me “tendencë luksi e gjigandomanie” për t’u mbyllur me frazën më të “dashur” për estetët, “shprehje e ndikimeve formaliste”.

Shinasi Dragoti në shtypin e kohës theksonte se: “Në projektet tona, shohim ndikimet pa vend të arkitekturës moderniste. Kinoteatri në Fier, është kritikuar me të drejtë për formën e tij aspak tërheqëse, por të lë përshtypjen e një vepre të ngjas
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb